Mijëra njerëz janë tubuar në kryeqytetin indian Delhi vetëm një ditë pas trazirave ndaj përkrahësve të Partisë së Buburrecave Janta (Cockroach Janta Party), lëvizje të rinjve që po kërkon reforma të thella në arsim dhe shkarkimin e ministrit të Arsimit, Dharmendra Pradhan.
Mijëra të rinj e të reja kanë protestuar dhe kanë bërë përpjekje të marshojnë në drejtim të Parlamentit, duke shkelur të gjitha ndalesat nga policia.
Më shumë se 60 protestues u plagosën kur policia përdori shkopinjtë e gomës dhe gaz lotsjellës. Policia gjithashtu rrënoi skenën dhe disa tenda që ishin vendosur në shesh.
Partia e Buburrecave është lëvizje satirike politike e frymëzuar nga fyerja kryeprokurorit të Indisë që përdori fjalën “buburrec” kur përshkroi një të ri të papunë që vendosi të merrej me gazetari. Komenti i tij nxiti pakënaqësi të mëdha teksa ai u arsyetua se po i referohej vetëm atyre që kanë diploma të rrejshme.
Pjesëmarrja masive e të rinjve tregoi se Partia e Buburrecave, ani pse jo e regjistruar si parti politike, është shndërruar në lëvizje që tërheq mijëra njerëz nëpër rrugë.
Kjo lëvizje është shprehja më e madhe e pakënaqësisë ndaj kryeministrit Narendra Modi në vitet e fundit.
