Franca pritet të votojë këtë të martë një projektligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, duke iu bashkuar një vale gjithnjë e më të gjerë shtetesh që po vendosin kufizime për të miturit.
Sipas një përllogaritjeje të AFP, më shumë se 20 vende në botë kanë propozuar ose miratuar masa për të kufizuar aksesin e fëmijëve në rrjetet sociale, ndërsa pesë prej tyre i kanë tashmë këto kufizime në fuqi. Australia ishte ndër të parat që vendosi ndalimin për përdoruesit nën 16 vjeç në dhjetor 2025.
Brazili kërkon që llogaritë e përdoruesve nën 16 vjeç të lidhen me ato të prindërve dhe detyron platformat të verifikojnë moshën. Kina, Indonezia dhe Malajzia kanë gjithashtu kufizime të ngjashme, ndërsa Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë miratuar ligje që pritet të hyjnë në fuqi në muajt e ardhshëm.
Komisioni Evropian pritet të propozojë këtë vit ndalimin e plotë të rrjeteve sociale për fëmijët nën 13 vjeç dhe një sistem me akses të kufizuar për moshat 13-18 vjeç. Greqia synon të vendosë ndalimin për nën 15-vjeçarët nga 1 janari 2027, ndërsa Austria, Sllovenia, Gjermania, Suedia, Danimarka dhe Irlanda po shqyrtojnë ose përgatisin legjislacion të ngjashëm. Norvegjia planifikon të paraqesë një projektligj deri në fund të vitit për ndalimin e aksesit për nën 16-vjeçarët.
Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe disa shtete të Indisë po shqyrtojnë rritjen e moshës minimale për përdorimin e rrjeteve sociale. Në Francë, projektligji që votohet sot parashikon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç. Qeveria synon vendosjen e një “moshe ligjore dixhitale”, duke e bërë Francën vendin e parë në Evropë me një kuadër të tillë ligjor.
Ndërkohë, Portugalia, Spanja dhe Italia kanë paraqitur ose po shqyrtojnë projektligje që rrisin moshën minimale për përdorimin e pavarur të rrjeteve sociale.
