Gati dy muaj pasi Ministria e Bujqësisë, me asistencën e Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit, rrënoi objektin e pompës së derivateve “Patroni ” në Prishtinë, ministri Armend Muja dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu ofruan një shfaqje të mjerë para mediave të mërkurën.
Ata u paraqitën në një konferencë për media gjoja për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes dy institucioneve që përfaqësojnë, por theksin e vendosën te “daja afarist” i një kandidati të PDK-së.
Fjala ishte për një aksion të para rreth dy muajsh për lirimin e një hapësire të Ministrisë së Bujqësisë.
Aksioni lidhet me rrënimin e objektit të pompës së derivateve “Patroni”, e cila shfrytëzonte me vendime shtetërore një pronë të Ministrisë së Bujqësisë. Aksioni mori vëmendje të shtuar pas protestave të Qëndrim Kryeziut, kandidatit për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kryeziu u arrestua më 29 maj të këtij viti derisa kundërshtonte aksionin për rrënimin e objektit, i cili i përkiste dajës së babait të tij.
Gjatë konferencës të mërkurën, e cila u ftua për çështje krejt të tjera me pronën te zona industriale, ministri Muja dhe rektori Hajrullahu përmendën disa herë lidhjen familjare të Qëndrim Kryeziut me pronarin e kompanisë, duke e shndërruar atë në temën kryesore të konferencës.
“Ju si Ministri e Bujqësisë aty afër edhe do pompa të benzinës i keni liruar aty. E pashë unë se thojke e thirra dajën, shkova te daja”, tha rektori Hajrullahu. “Unë shpresoj që edhe vet në lajme dal kështu”.
Edhe ministri Muja e shfrytëzoi temën e “dajës” me pompë.
“E vërtetë që ajo pjesë është liruar, nuk është më e dajës”, garantoi Muja.
“Mjerisht ajo pronë është marrë me qira me mjell kallamoq edhe kanë shku e kanë maru një pompë të benzinës”, vazhdoi shefi i Ministrisë së Bujqësisë.
As Muja, e as rektori që vjet e nderonte kryeministrin Albin Kurti me titullin Alumni i Nderit i UP-së, nuk përmendën faktet e pakontestueshme rreth shfrytëzimit të pronës së Ministrisë së Bujqësisë në zonën industriale.
Lejën për ndërtimin e objektit afarist, pompë të derivateve, në vitin 2017 e kishte nxjerrë Komuna e Prishtinës gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje. Nënshkrimin në vendim asokohe e kishte hedhur Liburn Aliu, drejtor i Urbanizimit në Komunën e Prishtinës.
Pronari i “Patroni”, Driton Morina, tha më 29 maj të këtij viti – ditën kur iu rrënua prona – se objektin e kishte ngritur me leje të rregullta ndërtimi dhe se rrënimi i objektit pa një vendim gjyqësor të formës së prerë ishte i paligjshëm.
Sipas tij, shteti do të përballet me detyrimin për ta dëmshpërblyer kompaninë.
Afaristi Morina është po ashtu pronar i Klubit të Futbollit Malisheva, të cilin kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e vizitoi gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 7 qershorit – vetëm tri ditë para rrënimit të objektit në Prishtinë.
Gjatë kësaj vizite, të cilën e përdori për fushatë zgjedhore, kryetari i Vetëvendosjes mburrej me sukseset e klubit të cilin e financon dhe e drejton pronari i “Patronit”, të cilin u përpoqën ta tallnin dy funksionarët e lartë shtetërorë të mërkurën.


