Gjykata e Lartë ka refuzuar edhe një tjetër ankesë të Behgjet Pacollit me kompaninë “MABCO Constructions”, duke i dhënë fund përfundimisht të drejtë shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k.
Sot, Gjykata e Lartë vendosi për mospranimin e rekursit të MABCO-s kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe atë të Apelit, duke e lënë në fuqi vendimin për emërimin e administratorit të “VIA”.
Ky është dështimi i tretë radhazi i MABCO-s në këtë proces gjyqësor.
Pacolli kishte humbi fillimisht rastin në instacën e parë, më pas në shkallën e dytë, e tashmë edhe në atë të Gjykatës së Lartë.
Si rrjedhojë, mbetet në fuqi emërimi i z. Vegim Hoxha si administrator i shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. Administrimi i shoqërisë koncesionare vazhdon të mbetet në duart e “2A Group”, shoqërisë së Valon Ademit, përmes administratorit të zgjedhur prej saj.
Vendimi i sotëm mbyll përfundimisht rrugën e rekursit të MABCO-s në këtë procedurë dhe konfirmon se z. Vegim Hoxha vazhdon të ushtrojë ligjërisht funksionin e administratorit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Kjo është një tjetër betejë ligjore e fituar nga “Vlora International Airport” [VIA], në sagën e Aeroportit të Vlorës.
Vitin e kaluar, Prokuroria në Shqipëri nisi hetime penale edhe ndaj Behgjet Pacollit, vëllait të tij, Eminit dhe punonjësit të Mabco, Nelson Çela. Të tre dyshohen për veprat e “mashtrimit me pasoja të rënda”, “falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim kompjuterik”.
Ata dyshoheshin se kishin mashtruar partnerin e tyre në koncesion për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, Valon Ademin, një biznesmen tjetër po nga Kosova.
Sipas një kallëzimi penal të deponuar në Prokurori, Pacolli dyshohej se mashtroi Ademin për pronësinë e Aeroportit. Ai pretendonte se ishte zotërues i 98% të aksioneve të Aeroportit, ndërsa Ademi është zotërues i 2% të aksioneve.
Por, Ademi pretendonte se ekzistonte një kontratë noteriale e vitit 2022, sipas së cilës, ai ishte pronar i 47% të aksioneve dhe Pacolli 53%. Por, kjo kontratë nuk ishte regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në Shqipëri. Në dokumentet zyrtare, Pacolli figuronte zotërues i 98% të aksioneve.
Përpos kallëzimit penal të ushtruar në Prokurorinë e Tiranës, Valon Ademi parashtroi padi edhe në Gjykatë për vendosjen e masës së sigurisë në raport me vendimet e Aeroportit të Vlorës.
Gjykata vendosi që të pezullojë çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve të biznesit “Vlora International Airport – VIA Sh.P.K”, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.
Më 24 dhjetor të vitit 2025, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë kishte marrë vendim për sigurim të padisë për rastin e “Vlora International Airport – VIA”, duke e aprovuar si të bazuar kërkesën e paraqitur nga “2A Group” me pronar Valon Ademin.
Përmes vendimit të 24 dhjetorit, Gjykata kishte pezulluar të drejtën e votës së aksionarit Mabco Construction SA, të drejtuar nga Behxhet Pacolli.
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë është vërtetuar nga Gjykata e Apelit.
Kolegji prej tre gjyqtarëve i Gjykatës së Apelit në Tiranë vendosi që të lë në fuqi masën e sigurisë së Shkallës së Parë me të cilën i jep të drejt aksionarit Valon Ademi të administrojë Aeroportin e Vlorës.
Me këtë vendim Apeli ka vërtetuar dyshimet dhe ka bllokuar mundësinë që Aeroporti i Vlorës t’i bartet një binzesi të dyshimtë në lidhje me Rusinë.
Kompania Mabco e Pacollit, ishte përjashtuar nga projekti i Aeroportit të Vlorës për shkak të shkeljeve të rënda kontraktuale dhe vonesave në punime.
Kompania në pronësi të biznesmenit dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, kishte shkelur marrëveshjen kontraktuale me shoqërinë koncensionare “Vlora International Airport” [VIA], e cila menaxhon Aeroportin e Vlorës, duke i shkaktuar dëm Aeroportit në vlerë prej 4.6 milionë eurove.
Vendimin për ndërprerjen e kontratës, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) e kishte marrë më 14 maj.
Sipas njoftimit të cilin e kishte nxjerrë administratori i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, Vegim Hoxha, kontrata e Mabco-s për punët ndërtimore ndërpritet “me efekt të menjëhershëm në momentin e pranimit kontraktual të këtij njoftimi.”
Aeroportin e Vlorës, akualisht e administron kompania “2A Group” e biznesmenit kosovar Valon Ademi, e cila fitoi këtë të drejtë në gjykatë pas përfshirjes në një konflikt gjyqësor me Mabco Constructions të Pacollit.
Konflikti ligjor mes aksionarëve të koncensionit, 2A Group dhe MABCO Construction, nisi vitin e kaluar si pasojë e mosmarrëveshjeve mes dy palëve për kuotat e aksioneve.
Para disa muajsh, Gjykata e Tiranës vendosi në favor të kompanisë 2A Group për përjashtimin e ortakut të koncensionit, Mabco Constructions, nga e drejta e votës në bordin e ndërmarrjes.
Ndalimi nga Gjykata i votës së MABCO Construction në VIA Sh.p.k ka derivuar si pasojë e dyshimit të bazuar se ekzistonte rrezik real që Aeroporti i Vlorës të humbiste kontrollin shqiptar përmes një skeme financiare të fshehtë.
Pacolli dhe njerëzit e tij ia dyshohet se ia shiten aksionet e Aeroportit të Vlorës kompanisë “Delphos Securities Sarl”, duke e mashtruar aksionarin tjetër, 2A Group-in e Valon Ademit që fitoi koncensionin për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës.
