Dogana e Kosovës ka kapur 2 mijë e 550 fishekë të kalibrit nëntë milimetërsh pas ndalimit të një automjeti të dyshimtë në autostradë drejt Prishtinës.
“Gjatë kontrollit fillestar janë krijuar dyshime për ekzistimin e hapësirave të modifikuara në automjet. Pas një kontrolli të detajuar, zyrtarët doganorë kanë zbuluar bunkerë (hapësira të fshehura të ndërtuara pas fabrikimit), ku ishin të fshehura 2,550 copë fishekë të kalibrit 9 mm”, thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të kontrollit të detajuar, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale dhe rasti, së bashku me automjetin, municionin dhe personin e dyshuar, i është dorëzuar Policisë së Kosovës për hetime të mëtejshme, në përputhje me kompetencat ligjore.
