E ashtuquajtura zyre serbe për Kosovën, e ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, ka pretenduar se ndalimi i pesë serbëve nga Zubin Potoku për intervistim në Prishtinë “është edhe një veprim represiv ndaj popullatës serbe në këtë komunë”.
Në njoftim thuhet se, pas marrjes në pyetje që zgjati deri vonë gjatë natës, tre nga të ndaluarit janë liruar, ndërsa në paraburgim vazhdojnë të mbahen M. J. dhe M. B., nën dyshimin për krime lufte, transmeton Paparaci.
Kjo zyre pretendon se “bëhet fjalë për një presion të ri të autoriteteve në Prishtinë ndaj serbëve në komunën e Zubin Potokut”, i cili, sipas saj, “ka pasuar pas rrënimit të objekteve vikendi të serbëve pranë liqenit të Ujmanit”.
“Regjimi i Kurtit vazhdon politikën e terrorit, hakmarrjes dhe frikësimit ndaj serbëve, si përmes aksioneve të dhunshme ashtu edhe përmes arrestimeve arbitrare të qytetarëve që prej vitesh jetojnë të qetë në shtëpitë e tyre”, thuhet në këtë propagandë.
Më tej shtohet se veprime të tilla “krijojnë shqetësim në mjediset serbe dhe rrisin ndjenjën e pasigurisë dhe frikës te popullata serbe”.
“Këto veprime të pabazuara shtojnë më tej shqetësimin në mjediset serbe dhe krijojnë ndjenjë pasigurie dhe frike te populli serb”, që, sipas tyre, “është edhe qëllimi i autoriteteve në Prishtinë, të cilat nuk kanë legjitimitet politik dhe përpiqen ta forcojnë pozitën e tyre përmes shtypjes së popullit serb”, përfundon propaganda e radhës e kësaj zyre.
Më herët, Policia e Kosovës njoftoi se dy serbë janë arrestuar në Zubin Potok nën dyshimin se kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 dhe se ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit./Paparaci.com
