Një 20-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e incidentit që ndodhi sot në rrugën A në Prishtinë, ku një kran u shemb në një vendpunishte.
Sipas informacioneve, të dy persona kishin mbetur nën rrënoja pas shembjes së kranit.
Të dy u nxorën nga rrënojat dhe u dërguan për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), mirëpo njëri prej tyre nuk kishte arritur t’i bënte ballë plagëve.
Lidhur me rastin ishte deklaruar edhe Policia e Kryeqytetit përmes zëdhënësit Enis Pllana.
“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht njësitet relevante në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë filluar hetimet për sqarimin e rrethanave të rastit”, kishte thënë ai.
