Mërgim Lushtaku nuk sheh sherr brenda Partisë Demokratike të Kosovës, pavarësisht prej reagimeve të anëtarësisë kundrejt nominimit të përfolur të Dardan Sejdiut për nënkryetar të Prishtinës.
Deputeti nga rajoni i Drenicës tha sot se partia “ka nevojë të hapet”.
Në një prononcim për mediumin Ekonomia Online, Lushtaku paralajmëroi se shumë shpejt do të zgjidhen strukturat e brendshme të PDK-së.
“Absolutisht jo. Ne kemi mendime të ndryshme, qëndrime të ndryshme dhe besojmë që shumë shpejtë do t’i zhvillojmë edhe zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike të Kosovës. Dhe do ti japim epilog edhe zgjedhjes së strukturës së PDK-së. Besoj se PDK e ka një rol të rëndësishëm në skenën politike të Kosovës për arsye që e dimë që është e vetmja parti me një eksperiencë për vendimmarrje të investimeve të mëdha strategjike siç ka qenë Pavarësia, autostrada, infrastruktura shkollore, rritjet e pagave që tashmë i dëgjojmë vetëm në kërkesa po jo në implementim”, ka thënë ai.
Tutje, Lushtaku ka thënë se PDK-ja duhet të jetë e hapur për kuadro të reja.
“Ka shumë për të bërë dhe nuk kemi mund të gjitha me i rregullu. Ka pas edhe gabime por duke parë tash partinë në pushtet VV-në me një demagogji të madhe që ka pas që shihet tash më së miri. PDK duhet të jetë shumë më e fortë që ka qenë. Ne kemi nevojë të hapemi për të marr edhe kuadro të mira të shoqërisë që kanë autoritet moral dhe dije të lartë për ta quar shtetin përpara”, ka thënë Lushtaku.
Ndërsa për përzgjedhjen e drejtorëve komunalë nga radhët e PDK-së, Lushtaku u shpreh se kjo i takon kryetarit të partisë, Memli Krasniqi.
“Kjo është detyrë e kryetarit të Prishtinës Përparim Rama dhe kryesia e saj dhe besoj që e vendimmarrjen e tyre, në konsultim edhe më kryetarin Memli Krasniqi besoj që do të zgjidhet shume shpejt dhe do të ketë një bashkë qeverisje me LDK-në në Prishtinë. Besoj që Prishtinës i duhet një koalicion i tillë për vendimmarrjen dhe menaxhimin”, tha ai.
Anëtarësia e PDK-së është përfshirë në një debat publik. Ka akuza ndaj krerëve të rinj të partisë.
Paparaci, raportoi të mërkurën për reagimin e Nijazi Kryeziut, ish-këshilltarit të kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili i cilësoi jolegjitim dy anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ish-ambasadorët Vlora Çitaku dhe Bernard Nikaj.
Kryeziu tha se Çitaku dhe Nikaj po flasin “si konsititucionalistë”. Akuzoi ata për emërime në baza jomeritore në kryesinë e partisë.
Po ashtu, një pjesë e anëtarësisë së PDK-së në Prishtinë, linçoi publikisht Dardan Sejdiun, ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, të përfolur si anëtar të ardhshëm të PDK-së dhe të propozuar për nënkryetar të Prishtinës.
Mirëpo, Sejdiu mohoi mundësinë e aderimit të tij në PDK të mërkurën. Ai, në një reagim në rrjetet sociale të mërkurën në mbrëmje, tha se nuk do të jetë nënkryetari i ardhshëm i Prishtinës. /Paparaci.com
