Është larguar reklama e cila kishte mbuluar muralin “Kamarieri” tek hotel Lybeteni në Ferizaj.
Kjo reklamë ishte vendosur aty pa lejen e drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, kishte deklaruar shefi i kabinetit të kryetarit të Ferizajt, Selim Marevci, këtë të diele.
“Komuna përmes inspektoratit ka reaguar menjëherë me të parë që është vendosur ky baner dhe sipas inspektoratit vendosja e këtij baneri është vendosur pa leje të drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit dhe inspektorati ka urdhëruar duke u dhënë një afat kohore që të largohet ky baner.”
“Komuna nuk mund të këtë kompetenca të tjera sa i përket figurës së “Kamarierit” në hotel Lyboteni sepse e theksova qe ky objekt është privatizuar, është njëjtë sikur pronat te tjera private”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë që organizata Mural Fest Kosova ka kërkuar të dielën që muralet të mbrohen nga institucionet kompetente në mënyrë që të mos lejohet dhe të parandalohet tjetërsimi, shkatërrimi dhe keqpërdorimi i tyre.
“Mural Fest Kosova shprehë shqetësim të thellë kur sheh se si përgjatë viteve është mbuluar murali vazhdimisht për shkaqe komerciale, gjë që e shëmton dhe zbehë rëndësinë e tij. Ndonëse struktura dhe pamja e qytetit të Ferizajt ka pësuar ndryshime të mëdha vitet e fundit, pikat referencë të qytetit që lidhen me identitetin e Ferizajt duhet të mbrohen nga institucionet kompetente në mënyrë që mos të lejohet dhe parandalohet tjetërsimi, shkatërrimi apo keqpërdorimi i tyre,”, thuhet në postim.
