Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për dërgimin në mbajtje për 48 orë të Dardan Molliqajt, kryetarit të PSD-së të arrestuar dhunshëm të martën në mbrëmje.
Në një njoftim për media, Policia e Kosovës njoftoi se i arrestuari Molliqaj është dërguar në mbajtje, sipas aktvendimit të prokurorit të rastit.
“Pas arrestimit i dyshuari është dërguar në stacionin dhe si vijimësi e hapave të nevojshëm procedural, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, njoftoi Policia e Kosovës.
Ai është arrestuar derisa po shkonte në një emision televiziv, rreth orës 20:00.
Molliqaj është ndaluar nga disa pjesëtarë të policisë, të cilët e kanë futur në veturë.
Kreu i PSD-së kishte goditur shuplakë një pjesëtar të Policisë së Kosovës në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës.
Molliqaj kishte thënë në lidhje me incidentin se përgjegjësia i bie atij, porse ai ishte ofenduar me fjalë nga zyrtarët policorë.
