Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri nuk do të shkojë në zgjedhje të brendshme, sikurse 11 degë të tjera të partisë. Ajo po ballafaqohet me një padi civile për një borxh të papaguar për qiranë e zyrave të selisë në vlerë prej mijëra eurosh. Ymer Ukiçi, pronari i lokalit ku ishte vendosur selia, e ka dëbuar LDK-në nga pronat e tij pas borxhit të qirasë, të akumuluar në tri vitet e fundit.
Suada Qorraj
Në një padi që ka siguruar Paparaci shkruhet se dega në Vushtrri e LDK-së që nga viti 2019 nuk ka paguar qiranë mujore në vlerë prej 300 eurosh në lokalin që e shfrytëzonte në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në këtë qytet. Kjo parti kishte marrë disa herë njoftime dhe dhe kërkesa nga pronari i lokalit Y.U., mirëpo borxhin se kishte paguar.
Ky i fundit nëpërmjet kësaj padie ka kërkuar nga LDK-ja që t’i shlyejnë borxhet për tre vite. Në këtë padi kërkohet që të shpallet aktgjykimi i atillë që kjo parti të paguaj borxhin me 8% kamatë.
Krahas mungesës së një zyre, dega e LDK-së në Vushtrri nuk ka as kryesinë e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të brendshme.
Kryesia e degës së LDK-së në Vushtrri ka 23 anëtarë, kurse në mbledhjen e 14 janarit të kësaj dege ku u shkarkuan tre asamblistët, Agron Perçuku, Alban Bajrami e Behar Duraku, nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm.
Në listën e siguruar nga Paparaci prezent në këtë mbledhje ishin vetëm 12 anëtar, ku njëri nga ta kishte marrë pjesë online.
Borxhi tre vjeçar i LDK-së në Vushtrri
Sipas padisë të siguruar nga Paparaci Y.U., pronari i lokalit të cilin dega e LDK-së e kishte shfrytëzuar për tre vite me radhë pa paguar asnjëherë qiranë, kësaj partie, njoftime dhe kërkesa për pagesën e këtij borxhi i kishte dërguar të paktën tre herë gjatë këtij vitit të kaluar.
Njoftimi i parë që e ka dërguar pronari i lokalit në drejtim të LDK-së ka qenë më 18 shkurt të vitit të kaluar. Në këtë njoftim të cilën e ka siguruar Paparaci pronari shkruan se pagesa nuk është bërë “që një kohë të gjatë”.
“Përmes këtij njoftimi, ju informoj se që një kohë të gjatë nuk është bërë pagesa e qirasë mujore në lokalin në të cilin kanë qenë deri tani në Vushtrri, rr. “Dëshmorët e Kombit”, pronë e Y.U., dhe pas lirimit të lokalit nga ana e LDK-së, të njëjtit nuk e kanë bërë pagesën siç e ceka më lartë një kohë të gjatë”, shkruhet në njoftimin e nënshkruar nga vetë pronari i lokalit.
Kërkesa e dytë të cilën e posedon Paparaci ishte bërë më 6 maj të vitit të kaluar ku prapë kërkonte nga LDK-ja që t’i shlyenin borxhet tre vjeçare.
Kërkesën e tretë pronari e kishte bërë më 22 korrik të vitit 2021 nëpërmjet së cilës ai i ofronte LDK-së të bënin marrëveshje rreth pagesës së këtij borxhi në mënyrë që ai siç shkruhet “të mos ndërmarr veprime procedurale, paraqitje të padisë në Gjykatë për mos pagesën e qirasë ku dhe do të krijoheshin shpenzime të larta.”
Ai në këtë kërkesë i jep afat LDK-së në Vushtrri tre ditë që shlyejnë borxhin, përndryshe siç shkruhet “është i obliguar të inicioj padi”.
Sipas padisë që ka siguruar Paparaci dega e LDK-së në Vushtrri nuk ka mohuar dhe nuk ka kontestuar pretendimet për një borxh të tillë.
Në padinë që e posedon Paparaci shkruhet se kjo parti lokalin “e shfrytëzon ende me pretendime se një gjë të tillë do ta kryen.”
Ndërkohë që në këtë padi kërkohet që të të shpallet aktgjykimi i atillë që LDK-ja “t’ia paguajë shumë mujore për lokalin për aq sa e caktojnë në seancë gjyqësore për vitet e papaguara 2019, 2020 dhe 2021, me kamatë ligjore 8% duke filluar prej nga ngritja e kësaj padie e gjer në përmbushjen e pagesës së plotë.”
LDK-ja ka njoftuar sot se do të organizohen zgjedhjet e brendshme në 11 degë të kësaj partie. Pjesë e këtyre zgjedhjeve nuk është edhe dega jofunksionale e LDK-së në Vushtrri./Paparaci.com
