Sindikata e Policisë së Kosovës po e konsideron të paarsyeshëm suspendimin e dy zyrtarëve policorë në komunën e Suharekës, pas arrestimit të kameramanit gjatë përcjelljes së një ngjarje.
Imer Zeqiri nga Sindikata e Policisë së Kosovës përgjegjësinë e fajit po e hedh te kameramani, derisa ka thënë se kjo ndodhë kur nuk zbatohen urdhrat e policisë.
Ai për Paparaci ka shpjeguar se pjesëtarët e policisë nuk kanë inat personal me asnjë prej gazetarëve apo kameramanëve.
“I pa arsyeshëm veprim i kameramanit, pse s’u arrestuan të tjerët po të kishte pasur inat atëherë i kishte arrestuar të gjithë aty, dhe një ka rezistua dhe nuk zbatohen urdhëratë dhe janë me plan operativ. Neve nuk kemi pasur presion dhe ai ka qenë mendimi I imi dhe nuk është rasti i parë që zyrtarët policor suspendohen pa arsye”.
Sipas Zeqirit Policia e Kosovës nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kundër fjalës së lirë.
Në reagimin e djeshëm Sindikata e Policisë kishte paralajmëruar edhe protesta nëse vazhdojnë suspendimet e pa arsyeshme ndaj zyrtarëve policorë.
E paralajmërimi për protestë nuk ka të bëjë me presion ndaj tyre, ka thënë Zeqiri.
“Është reagim I kolegëve, nëse nuk rregullohet kjo çështje do të takohem edhe me këta të hetimeve të brendshme dhe e kam thënë ata që nuk na mbetet asgjë tjetër nëse këto çështje rregullohen. Suspendimi është I paarsyeshëm dhe nuk e di, shumë respekt për media, dhe nuk kemi pasur konflikt asnjëherë, aty ku vepron policia mediat e kanë vendin e vet dhe policia vendin e vet. Policia e Kosovës nuk janë kundër fjalës së lirë”.
Dy zyrtarët policorë janë suspenduar nga puna të enjten, ku dyshohet se kanë shkelur rregulloren e brendshëm Policisë së Kosovës.
