Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ngritur dy aktakuza për të njëjtin rast ndaj A.H., A.M. dhe S.K., duke i ngarkuar ata me veprën penale të arratisjes së personit të privuar nga liria. Por, Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, e ka hudhur poshtë njërën prej tyre.
Aktakuzën e parë, kjo prokurori ndaj të pandehurve e kishte ngritur më 8 dhjetor 2016, ndërsa aktakuzën e dytë për rastin e njëjtë e kishte ngritur më 10 prill 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, me të cilin ajo ka hudhur aktakuzën e prokurorisë, të ngritur në dhjetor të 2016-ës dhe kishte pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarve A.H., A.M. dhe S.K., për shkak të dënimit të tyre me vendim të formës së prerë, për çështjen e njëjtë penale sipas aktakuzës së prillit të 2019-ës.
“Gjykata pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjeti se ndaj të pandehurve të lartcekur, për veprën penale “Arratisja e personit të privuar nga liria” nga neni 405, par.1 të KPRK-së, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur dy aktakuza, dhe atë aktakuzën PP.II.nr. 1635/2016, të datës 08.12.2016 dhe aktakuzën PP.II.nr.1008/19, të datës 10.04.2019”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit.
Tutje, në arsyetim thuhet se pas shqyrtimit të aktakuzave, gjykata ka gjetur se të dy aktakuzat kanë objekt të njëjtë dhe koha e kryerjes së veprës penale nga të pandehurit është e njëjtë, ajo e 1 gushtit 2016, e precizuar njëjtë në të dy aktakuzat e Prokurorisë në Mitrovicës.
“Për çështjen penale sipas aktakuzës PP.II.nr.1008/2019, të datës 10.04.2019, gjykata ka vendosur me aktgjykimin P.nr.378/2019, të datës 20.01.2020 dhe të pandehurit i ka shpallur fajtorë për veprën penale “Arratisja e personit të privuar nga liria” nga neni 405 par. 1 të KPRK-së, duke u shqiptuar të pandehurve dënim me gjobë, secilit në shumën prej një mijë (1000) euro, të cilat dënime më pas janë zëvendësuar me dënim me burg, për tre të pandehurit, për shkak të mospagesës”, thuhet në arsyetim.
Duke i vlerësuar këto, në arsyetim thuhet se gjykata ka vërtetuar se çështja penale e ngritur me aktakuzën e 8 dhjetorit 2016 përbën çështje penale të gjykuar (res judicata). /BetimipërDrejtësi
