Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar që të anulohet vendimi i Bordit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Tahiri ka deklaruar se kjo rritje po e rëndon jetën e qytetarëve.
Sipas tij, bordi i ZRRE-së duhet të shkarkohet dhe të miratohet një rezolutë e re në Kuvendin e Kosovë për këtë çështje.
“Duke pasur parasysh se kjo është çështje që po rëndon jetën e qytetarëve. Ne kemi pasur debat parlamentar sepse çmimi i energjisë nuk duhet të shtrenjtohet dhe duhet të gjenden alternative tjera që mos të rëndohet jeta e qytetarëve në vendin tonë. Përpos shtrenjtimin e energjisë, kemi rritje të çmimeve të çdo produkti esencial, nga derivatet, produktet ushqimore. Ndërkaq, çdo sektor në vendin tonë, të gjitha këto janë të papërballueshme. Sot ZRRE ka marrë një vendim që e ka krijuar një realitet të hidhur në vendin tonë”, tha ai në Kuvendin e Kosovë.
“Prandaj, kërkoj nga shefat e GP, nga deputetët, që ta vendosim në debat dite këtë çështje dhe ta miratojmë një rezolutë që i bën thirrje ZRRE që ta anulojë këtë vendim. Dhe në fund të debatit, po ashtu do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që ta vendosim për votim shkarkimin e ZRRE. Mendoj se këta njerëz nuk duhet të qëndrojnë në këto pozita përderisa e kanë sjellë një gjendje të tillë për qytetarët”, u shpreh ai.
