Kryeprokurori i Prokurorisë së Pejës, Agim Kurmehaj, ka iniciuar procedurë disiplinore nda prokurorës Lirije Morina, lidhur me shkeljet e pretenduara në trajtimin e lëndës së dhunimit të një 15-vjeçareje dhjetë vite më parë në Gjakovë.
Prokurorja Morina u pajtua me dënimin e shqiptuar një ditë më parë nga gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Pejës, Florije Zatriqi, prej vetëm 8 muaj e 8 ditë ndaj dhunuesit të së miturës. Nuk u ankua në shkallën e dytë.
Lidhur me rastin, Agim Kurmehaj, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Pejë ka njoftuar sot se ka nisur procedurë disiplinore kundër Morinës.
“Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Agim Kurmehaj, pas analizimit të gjitha shkresave të lëndës, konform Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurores, e cila ka përfaqësuar këtë lëndë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.
Prokurorja Lirije Morina i kishte propozuar Gjykatës që ndaj dhunuesit P.K., të merreshin rrethanat lehtësuese, duke përmendur faktin se nga kryerja e veprës penale kanë kaluar gati 10 vite, deklaratën e të dëmtuarës të dhënë në polici dhe në prokurori se me rastin e marrëdhënieve seksuale nuk ka pasur lëndime etj.
