Xhafer Gashi, bashkë me anëtarësinë e Iniciativës Qytetare për Obiliqin, do t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka mësuar Paparaci.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, pritet të udhëheq me Lidhjen Demokratike në këtë komunë, ka mësuar mediumi online Paparaci nga burime të mirëinformuara afër LDK-së.
Për t’i hapur rrugë lëvizjes së Gashit, Dega e LDK-së në Obiliq ka shkuar në zgjedhje të parakohshme, bazuar në një vendim të nxjerrë nga Komisioni Koordinues për Zgjedhje të Parakohshme, Dega në Obiliq.
Paparaci, ka siguruar vendimin e partisë për emërimin e komisionit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Komisioni Koordinues është udhëzuar për pushimin e detyrave të kryetarit aktual dhe Kryesisë së Degës, thuhet në dokument.

“Komisioni do të zhvillojë dhe do të koordinojë procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Degën e LDK-së në Obiliq; Komisioni është përgjegjës për aprovimin e platformës zgjedhore në degën e LDK-së në Obiliq dhe i njëjti për punën e vet i përgjigjet Komisionit Koordinues për zgjedhje i emëruar nga kryesia e LDK-së”, thuhet në vendim.
Gashi e ka mohuar marrëveshjen për kalimin e tij dhe njerëzve të tij në LDK.
I kontaktuar nga Paparaci të hënën, ai ka thënë se lëvizjet e tij politike “pritet të shihen, ditëve në vazhdim”.
Me kalimin e Gashit në LDK, subjekti i drejtuar nga Lumir Abdixhiku arrin numrin më të madh të komunave në drejtim.
Xhafer Gashi, i cili garoi me Iniciativën Qytetare për Obiliqin në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, siguroi edhe një mandat si kryetar i Komunës së Obiliqit. Ai, mposhti në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, Halil Thaçin, kundër-kandidatin e tij nga Lëvizja Vetëvendosje. /Paparaci.com
