Ambasadori i Ukrainës në Beograd, Oleksandar Aleksandroviç ka deklaruar se Ukraina dhe populli ukrainas pret nga Serbia që ta dënojë veprimin e djeshëm të Rusisë.
Të përkujtojmë, të hënë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka njohur pavarësinë e dy rajoneve të Ukrainës, Doneskut dhe Luhanskit, të cilët gjenden në lindje të Ukrainës.
“Është e rëndësishme që Serbia të deklarohet, sepse veprimi i djeshëm i presidentit rus Vladimir Putin është drejtpërdrejt kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Prandaj Ukraina dhe populli ukrainas presin që Serbia të dënojë veprimin e djeshëm të Federatës Ruse”, ka thënë ambasadori në largim i Ukrainës në Serbi, transmeton Paparaci.
Aleksandroviç ka thënë se plotësisht pajtohet me deklaratën e djeshme të presidentit serb se këto ngjarje po e shkatërrojnë arkitekturën e plotë politike dhe të sigurisë në botë.
“Unë plotësisht pajtohem me këtë. Federata Ruse është i vetmi vend që po shkatërron atë arkitekturë të sigurisë”, ka shtuar ai./Paparaci
