Të fundit

Tërhiqet nga gara kandidati për Kryeprokuror të Shtetit

Është ngushtuar lista e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Arben Ismajli, i cili ishte njëri nga gjashtë kandidatët për Kryeprokuror, ka njoftuar tërheqjen e tij nga gara të premten, raporton Paparaci.

Vendimin e ka bërë të ditur në një letër dërguar kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Në komunikimin të cilën e ka siguruar Paparaci, Ismajli ka theksuar se tërheqja e tij nga gara ndërlidhet me një konstatim të Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK) për konflikt eventual interesi në rastin e kandidaturës së tij.

“Për ta ruajtur integritetin tim personal dhe profesional, kredibilitetin e institucionit të Prokurorit të Shtetit, të KPK-së dhe procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, kam vendosur që të tërheq kandidaturën time për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në letrën e prokurorit Ismajli.

Sipas opinionit të Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), emërimi eventual i Arben Ismajlit, një ish-anëtari të KPK-së, në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, bie ndesh me Ligjin për Konflikt të Interesit.


Arben Ismajli, kandidati i tërhequr nga gara për Kryeprokuror të Shtetit

Sipas Ligjit, asnjë anëtar i KPK-së nuk mund të zgjidhet në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit pa kaluar afati prej dy vitesh nga përfundimi i mandatit në KPK.

Arben Ismajli, aktualisht ushtron pozitën e prokurorit në Prokurorinë e Apelit.

Ai, karrierën e kishte nisur në vitin 2012, kur ishte emëruar prokuror në Departamentin e Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Gjilanit. Pasi ka kaluar mandatin fillestar prej tre viteve, Ismajli në 2015 ishte avancuar në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Në 2016 ishte emëruar si anëtar i Këshillit Prokurorial. Në prill 2017, prokurori Ismajli ishte emëruar zëvendës Kryesues i Këshillit Prokurorial, të cilën pozitë e kishte mbajtur deri në tetor 2020, kur edhe kishte dhënë dorëheqje nga Këshilli Prokurorial, pak para skadimit të mandatit pesë vjeçar.

Shtatë muaj pas përfundimit të mandatit si anëtar i Këshillit Prokurorial, ai është avancuar në Prokurorinë e Apelit.

Për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, përpos Ismajlit, kanë aplikuar edhe pesë kandidatë të tjerë.

Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale; Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë e Prishtinës; Armend Hamiti, prokuror në Prokurorinë e Prishtinës; Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit si dhe Lulzim Sylejmani, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci