Mehmeti: Më të sigurt jemi sot, se që kemi qenë dje
Drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se më të sigurt jemi sot, se që kemi qenë dje, pas arrestimit të 50 zyrtarëve policorë gjatë aksionit “Pika” në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit.
“Më të sigurt jemi sot, se që kemi qenë dje, sepse dje kanë qenë 50 zyrtarë policor që janë dyshuar për korrupsion ose për mitmarrje. Fakti që policia edhe institucionet e shtetit e kanë fuqinë dhe mundësinë dhe vullnetin për të luftuar korrupsionin. Duhet të ndihemi më mirë sot, se dje”, tha Mehmeti në konferencë për media.
Mehmeti poashtu theksoi se puna në pikat kufitare po vazhdon dhe çdo gjë po shkon ashtu siç duhet pas zëvendësimit me zyrtarë të tjerë policorë.
“Siguria është në nivelin maksimal, janë zëvendësuar zyrtarët policorë dhe çdo gjë po shkon ashtu siç duhet të shkojë. Të arrestuar janë zëvendësuar me zyrtarë të tjerë policorë”.
Pesë rreshterë në mesin e 50 të arrestuarve në aksionin “Pika”

Kushtrim Hodaj nga Inspektorati Policor i Kosovës në konferencë për media ka njoftuar se në mesin e të arrestuarve janë edhe pesë rreshter.
“Në kuadër të operacionit “Pika” ka arrestuar 48 zyrtarë Policorë, në mesin e tyre dy togerë, pesë rreshterë si dhe dy zyrtarë doganor. Të gjithë të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “Marrje e ryshfetit'”, tha ai.
Tutje ai ka shtuar se “ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit janë të involvuar me qindra herë, apo mbi 400 veprimtari kriminale të veprës penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Hodaj ka njoftuar se 50 të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve dhe ndaj të njëjtëve është rekomanduar supspendimi.
Aksioni “Pika” – 18 të dyshuar shpallen në kërkim

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në një konferencë për media ka njoftuar se sot janë arrestuar 50 persona në operacionin policor “Pika”, ku 48 prej tyre janë zyrtarë policor dhe një doganier.
Ai tha se hetimet lidhur me rastin kanë filluar që në maj te vitit të kaluar dhe nën hetim ishin gjithsej 68 persona.
Nga këta 68 persona, 18 prej tyre janë ende në arrati, shkruan Paparaci.
“Në momente të zbulimit të identiteve të kryerve të veprave penale kemi nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër 68 personave sot jemi njoftuar se janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga Policia e Kosovës dhe dy nga Dogana. Ndërsa personat ndaj të cilëve është nxjerrë vendimi për vëzhgimin e tyre, disa janë në arrati; disa edhe nuk janë shtetas të Kosovës”, tha ai.
Tutje ai shtoi se Institucionet e Kosovë po bashkëpunojmë edhe me institucionet e Shqipërisë për të marrë informacione për personat që nuk janë shtetas kosovarë.
“Nga ata persona janë konfiskuar telefonat mobil të cilët i kanë poseduar të cilët do të na shërbejnë më vonë në procedurë penale”, shtoi ai.
Aleksandër Lumezi e ka konsideruar këtë aksion një sukses të madh të institucioneve zbatuese të ligjit./Paparaci.com
