Të fundit

Rusofilizmi po e çon Serbinë në izolim dhe sanksione

Serbia ishte e shurdhër kur ra Muri i Berlinit dhe bashkë me të edhe “Perdja e Hekurt”, dhe sot është e verbër ndërsa ndërtohet një mur i ri dhe këtë herë po e ngrihet “Perdja e çeliktë”, disa qindra kilometra në lindje të asaj origjinales. Një barrierë  e re po ngrihet në shtrirjen nga Kalaja e Ivanogorskit në veri përmes Brestit në Bjellorusi dhe Luginës së Dnieperit deri në Detin e Zi deri në Odessa, e cila do ta ndajë Moskën pafundësisht nga pjesa tjetër e Kontinentit të Vjetër, shkruan analisti politik serb Zhelko Paneliq.

Ashtu si tridhjetë e diçka vjet më parë kur politikanët serbë dhe elita intelektuale, me disa përjashtime, plotësisht i keqinterpretuan ngjarjet, edhe sot pasardhësit e tyre janë duke bërë të njëjtin gabim dhe po luajnë kartën e gabuar, duke dëshiruar shembjen e Perëndimit, demokracive liberale dhe një rend të ri botëror sipas dëshirës së tyre.

Sot, Serbia është i vetmi vend në Evropë (Bjellorusia u bë një shtet vasal ose një provincë ruse çfarë ia dëshironte Serbisë Tomsillav Nikoliqi derisa ishte radikal) në të cilin asnjë parti apo institucion përkatës politik nuk e ka dënuar agresionin rus kundër Ukrainës, i vetmi vend evropian, së bashku me Turqinë, që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Për më tepër, ndërsa turqit në përgjithësi mbajnë një profil të ulët dhe justifikojnë mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë si një veprim taktik në përpjekje për të ndërmjetësuar midis Moskës dhe Kievit,  në Serbi janë politikanë të cilët janë krenarë që nuk vendosën sanksione ndaj regjimit të Putinit dhe prej kësaj bëjnë taktika zgjedhore, transmeton Paparaci.

Serbia nuk ka as gjeografinë në anën e saj, nuk ka rëndësi gjeostrategjike, nuk ka burime, nuk ka as pozicion dhe nuk ka me çfarë të shantazhojë Perëndimin që të mund të përballojë luksin e sjelljes si Kina, India, Pakistani apo Turqia. Çfarë do të thoshin romakët e lashtë “ajo që i ka hije Jupiterit, nuk i ka hije kaut”, dhe në këtë histori duket qartë se kush është Jupiteri dhe kush është kau.

Iluzioni serb nga vitet e tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta u shpagua me dhjetë vjet izolim dhe luftë. Në periudhën më të lumtur dhe më të begatshme në historinë e njerëzimit, Serbia ishte nën sanksione, më rigoroze dhe më gjithëpërfshirëse sesa Rusia sot. Për më tepër, për shkak të mbështetjes së Millosheviqit për puçistët në Rusi që donin të rrëzonin presidentin Boris Yeltsin, Moska nuk pengoi me përdorimin e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së miratimin e asnjë rezolute kundër Jugosllavisë së atëhershme.

Zgjedhja e re e gabuar e Serbisë do të jetë edhe më vetë shkatërruese se ajo e mëparshme e viteve të nëntëdhjeta. Pushtimi rus i Ukrainës te anëtarët e BE-së nuk u përjetua vetëm si luftë e Rusisë kundër Perëndimit, por si luftë e Rusisë kundër vlerave evropiane. Ai detaj është vendimtar, ata që nuk e kuptojnë rëndësinë e tij nuk kanë mësuar asgjë për BE-në dhe nëse Beogradi e nënvlerëson atë, pasojat do të jenë drastike.

Me fjalë të tjera, ruajtja e marrëdhënieve me Rusinë do të perceptohet, ose tashmë është duke u perceptuar, si një aleancë me ata që mohojnë dhe kërcënojnë vlerat dhe parimet mbi të cilat bazohet BE-ja. Në 20 vjetët e fundit, Serbia ka mundur të ulet në disa karrige, sepse të gjitha vendet kryesore evropiane kanë bërë të njëjtën gjë, duke filluar nga Gjermania, Italia dhe Franca. Në Berlin, Romë dhe Paris, politika e jashtme e Beogradit pak a shumë u kuptua, duke pasur parasysh se të gjithë bënin biznes dhe marrëveshje të llojeve të ndryshme me Rusinë, nga energjia, armët e deri te lëndët e para.

Koha po kalon. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin asnjë lëvizje kundër Serbisë derisa të përfundojë procesi zgjedhor dhe të formohet qeveria e re. Qeveria e ardhshme dhe presidenti i Serbisë do të kenë relativisht pak kohë për të harmonizuar qëndrimet e tyre me politikën e jashtme të BE-në. Më saktësisht, nëse Beogradi nuk distancohet nga Moska, do të pasojë një reagim paralajmërues nga Brukseli dhe Uashingtoni, me një hartë të qartë të veprimeve dhe pasojave që do të sjellë.

Në rast se qeveria e re tregohet se është rusofile, sanksionet do të vendosen gradualisht, duke lënë derën e hapur që në Beograd të mbledhin mend para se situata të fillojë të përkeqësohet ndjeshëm. Nga ana tjetër, çdo përpjekje e Serbisë për ta destabilizuar rajonit, pra të eksportojë konfliktin në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë apo Mal të Zi, do të ndëshkohet në mënyrë drakonike me sanksione, me të gjitha pasojat që vijnë me to, nga inflacioni në recesion dhe humbje të qindra mijëra vendeve të punës, përcjell Paparaci.

Sanksionet do të ishin shumë të ngjashme me ato që tashmë Serbia i ka përjetuar gjatë viteve të nëntëdhjeta: futja e vizave për udhëtim në vendet e BE-së, mbyllja e hapësirës ajrore për linjat ajrore serbe, mbyllja e fabrikave të kompanive evropiane, tërheqja e zinxhirëve të mëdhenj shumëkombëshe  të shitjes me pakicë, vendosja e embargos për importet e naftës dhe derivateve të saj, përjashtimi nga transaksionet e pagesave. Do të goditen edhe sportistët, punonjësit e kulturës dhe artistët serbë.

Në pozitë të pafavorshme do të gjenden edhe serbët në Bosnje dhe Hercegovinë, gjegjësisht në Republikën Serbe, në Mal të Zi dhe në Kosovë. Partitë boshnjake në Sarajevë, koalicioni i Millo Gjukanoviqit në Podgoricë dhe partitë shqiptare në Prishtinë do të shfrytëzojnë mundësinë për të miratuar zgjidhje kushtetuese dhe ligjore që do të funksionojnë në favor të tyre dhe në dëm të interesave të komuniteteve serbe me të gjitha pasojat negative, nga shpërngulja e deri te asimilimi.

Serbia do të gjendet në një pozitë shumë më të vështirë se Rusia, jo se nuk ka burime natyrore si Federata Ruse, por për shkak të gjeografisë dhe shpërndarjes së forcave. Beogradi do të jetë plotësisht i izoluar sepse nuk mund të llogarisë në mbrojtje të shpinës, si Kremlini që ka në Kinë, Indi, ish-republikat sovjetike në Azinë Qendrore, Pakistan apo Iran. Gjithashtu, qeveria në Beograd do të mund të marrë vetëm falënderime verbale për mbështetje të Putinit, sepse nafta, gazi, armët dhe çdo gjë tjetër nuk do të mund të vijnë nga Rusia.

Shpejtësia dhe mënyra se si u këputën pothuajse të gjitha lidhjet, për vetëm pak javë, mes Perëndimit dhe Rusisë, nga ato ekonomike, tregtare, sportive, kulturore, shkencore, tregojnë përmasat skizmatike të hendekut që është krijuar. Për më pak se 20 ditë, të gjitha aktivitetet e subjekteve juridike nga BE-ja u mbyllën në Rusi, së bashku me dhjetëra mijëra vende pune. BE-ja tashmë po përgatitet për një të ardhme në të cilën nuk do të ketë vend për Rusinë.

Zgjatja e luftës në Ukrainë dhe përshkallëzimi shtesë e kthen përçarjen midis Perëndimit dhe Rusisë në një hendek të pakapërcyeshëm për shumë vjet, ndoshta për dekada të tëra. BE-ja dhe subjektet e saja ekonomike kanë paguar dhe po paguajnë dhjetëra miliarda euro si rezultat i sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë dhe nuk do t’i tolerojnë ata që përpiqen të shtiren dinak në oborrin e shtëpisë së tyre. Leksioni evropian për Rusinë duhet të shërbejë si mësim për Beogradin, domethënë është një ushtrim demonstrues se çfarë do të ndodhë nëse Serbia bën zgjedhjen e gabuar edhe një herë, në 30 vjetët fundit.

Në esencë, pushteti në Serbi do të përballet me një pyetje shumë të thjeshtë, Evropa apo Rusia, dhe në mënyrë implicite do të përmbajë zgjedhje shumë të qarta: demokraci apo autokraci, prosperitet apo izolim, e ardhmja apo mjerimi, Greqia apo Koreja e Veriut? Dhe ajo në fund do të jetë e detyruar të përgjigjet në mënyrë të qartë. Nuk do të ketë më ulje në disa karrige./Paparaci

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci