Edicioni i parë i Final 4 të Ligës Unike në konkurrencën e femrave do të zhvillohet në Prishtinë, më datat 23/24 mars.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka shpalosur sot detajet rreth organizimit, ku nikoqir do të jetë Prishtina.
“Kjo është hera e parë që organizohet Final 4 në konkurrencën e femrave, andaj duam që të jetë shembull edhe për herët e ardhshme dhe të jetë një organizim i jashtëzakonshëm”, është shprehur Elvira Dushku.
Vlora Braha, Kryetarja e Klubit të Prishtinës (Femrat), ka dhënë detaje për organizimin në kryeqytetin e Kosovës. “Ne jemi munduar që të përgatitemi sa më mirë për Final 4 të Ligës Unike te femrat. Unë shpresoj se do të shijojmë dy ditë të basketbollit te femrat, duke parë ndeshje shumë të bukura në parket dhe një organizim madhështor. Hyrja do të jetë falas dhe i bëjmë thirrje të gjithë adhuruesve të basketbollit që të vijnë në numër sa më të madh”, theksoi Braha.
Më pas është nënshkruar marrëveshja për Organizimin e Final 4, që do të mbahet më 23/24 Mars në Prishtinë dhe është prezantuar logo zyrtare e kësaj ngjarje shumë të rëndësishme.
Në gjysmëfinalen e parë do të takohen Penza-Bashkimi, kurse në atë të dytë Prishtina-Flamurtari.
Orari:
23 Mars
16:00 Penza-Bashkimi
19:00 Prishtina-Flamurtari
24 Mars
16:00 Ndeshja për vendin e tretë
19:00 Ndeshja finale
