Pas publikimit të një letre të vitit 2020 e UEFA-s, përkatësisht e Komunitetit të Etikës dhe Disiplinës, që kishte marrë vendim që Agim Ademit t’i ndalohet aktiviteti në futboll, ka reaguar ky i fundit.
Ai ka thënë se ky vendim nuk ka qenë i plotfuqishëm, duke shtuar se të gjitha procedurat UEFA i ka ndalur ndaj tij kur Gjykata Supreme e ktheu në rigjykim rastin e tij, duke hedh poshtë dënimin me nëntë muaj burg efektiv.
Kujtojmë se sonte kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi, në një intervistë për RTK-në e mohoi se UEFA kishte marrë një vendim të tillë ndaj tij, duke thënë se nëse dikush e ka atë letër, le ta publikojë.
Menjëherë pas kësaj deklarate, në media është shpërndarë letra e dërguar para dy viteve nga UEFA.
Pas kësaj, Agim Ademi ka reaguar përmes llogarisë së tij në “Facebook”, ku shkroi:
“Sqarim për opinion rreth të pavërtetave në lidhje me pretendimin e një vendimi të UEFA-s ndaj meje
Sa më afër ditës së kuvendit të rregullt zgjedhor në vazhdimësi po tentohet të dezinfomohet opinioni me informata jo të sakta rreth meje.
Sot gjatë mbrëmjes është prezantuar një draftvendim i Komisionit Disiplinor të UEFA-s, i vitit 2020, i cili kishte propozuar për të marrë një vendim ndaj meje por që asnjëherë nuk është marrë dhe nuk ka hyrë në fuqi. Rrjedhimisht asnjëherë s’ka pas vendim dënues nga UEFA ndaj meje.
Derisa në vitin 2020 rasti im personal ishte në procedurë gjyqsore në Kosovë, ishte kërkuar nga UEFA që të marrë masa me pretekstin se kishte dënim në Kosovë ndaj meje.
Pas marrjes së vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, UEFA i ka ndalur të gjitha porcedurat diciplinore dhe asnjëherë nuk ka pasur vendim të plotfuqishëm nga UEFA ndaj meje.
Po të ishte e kundërta, unë nuk do të mund të rrija në pozitën e kryetarit të FFK-së për dy vite prej asaj kohe.
Fatkeqësisht, kjo është edhe një përpjekje e radhës që tentohet të ndryshohet vullneti i anëtarëve të Kuvendit të FFK-së me të pavertëta dhe dezinformata.
E vërteta është se anëtarët e FFK-së, klubet me delegatët e tyre, e njohin të vërtetën dhe punën e deritashme timen në FFK dhe ata do të jenë të vetmit që do të vendosin për FFK-në dhe askush tjetër.
Ju faleminderit për mirëkuptim!”.
