Luan Keka, udhëheqës i Drejtorisë Kundër Terrorizmit të Policisë së Kosovës, është ftuar të dëshmojë në një rast vrasjeje të trefishtë, të ndodhur 15 vite më parë në Ferizaj.
Vrasja për të cilin është ftuar të dëshmojë eprori policor, ndërlidhet me rigjykimin e pesë ish-zyrtarëve policorë për vrasjet e Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiut, më 28 dhe 29 shtator të vitit 2007.
Agron e Afet Dalloshi, Nysret Cena, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, akuzohen për privimin nga jeta të tre viktimave në vendin e quajtur “Ura e Lepencit”, afër fshatit Soponicë, Ferizaj.
Luan Keka është ftuar të dëshmojë për herë të parë lidhur me këtë vrasje të trefishtë në gjykatë më 31 mars, raporton Paparaci.
Ai është ftuar të dëshmojë me ftesë të kryetarit të trupit gjykues, Naser Foniqi, ka mësuar Paparaci.
Në kohën kur vrasja e trefishte kishte ndodhur, 15 vite më parë, Keka ushtronte funksion zyrtar brenda Stacionit të Policisë së Kosovës në Ferizaj, raporton Paparaci.
Në një gjykim të mëhershëm, Shpend Qerimi, së bashku me Besnik Hasanin, janë shpallur fajtor dhe dënuar me 33 vjet burgim. Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim. Lënda, momentalisht ndodhet në shkallën e parë të gjykatës në Prishtinë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të akuzuarit Agron e Afet Dalloshi, Nysret Cena, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, më 28 dhe 29 shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit”, afër fshatit Soponicë, Ferizaj, janë marrë vesh dhe kanë privuar nga jeta Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiun, kishin lënë të plagosur Bujar Baftiun, ndërsa pa lëndime kishte shpëtuar Sadik Baftiu.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës përfaqësohet nga prokurorja Fikrije Krasniqi-Fejzullahu.
Por, veprimet e saj ishin kontestuar nga pala mbrojtëse. Për këtë rast, Paparaci ka raportuar ekskluzivisht në shkurt të këtij viti.
Ilir Qerimi, vëllai i të akuzuarit Shpend Qerimi, ka denoncuar prokuroren Krasniqi-Fejzullahu për fshehjen e provave të rastit. Për mos-prezantimin e tyre në procedurën penale.
Në një kallëzim penal të ushtruar në maj të vitit të kaluar, Ilir Qerimi pretendon se prokurorja speciale ka shkatërruar prova të rëndësishme të lëndës, me qëllim që lënda të dështojë në favor të të akuzuarve.
Qerimi thotë se as këto prova kurrë nuk ishin paraqitur në procesin gjyqësor ndaj vëllait të tij dhe të akuzuarit tjetër, Besnik Hasanit.
“Andaj, kam arsyeje dhe besoj se ish-prokurori [i rastit] z. Reshat Millaku dhe prokurorja speciale e tanishme z. Fikrije Krasniqi janë të kapur nga krimi organizuar vetëm dhe vetëm që ky proces gjyqësor të dështoj në favor të akuzuarve”, deklaronte Qerimi.
Megjithatë, më 16 shkurt, disa javë pas raportimit të Paparacit, prokurorja e rastit ka intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, Ilir Qerimin. Dëshminë e tij e ka publikuar të plotë Paparaci.
Lexo edhe:
Skandal: Prokurorja speciale dyshohet se i zhduku provat për vrasjen e trefishtë
Dëshmia kundër prokurores që dyshohet se asgjësoi provat për vrasjen e trefishtë
