Të fundit

Igor Simiq – deputet në Kosovë, lobues në Serbi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Igor Simiq, ashtu siç dihej, por tani edhe zyrtarisht, ka filluar të kërkojë vota në Serbi për shefin e tij, Aleksandar Vuçiq.

Ligjvënësi i Listës serbe, i cili dje mori pjesë në një debat televiziv, u prezantua si pjesëtar i listës së Vuçiqit nën moton “Së bashku mund të bëjmë gjithçka”.

“Keni pasur rastin të dëgjoni se duan t’ju mashtrojnë dhe t’ju marrin votën duke sulmuar Aleksandar Vuçiqin në një kohë kur Albin Kurti po përpiqet të provokojë luftë”, deklaroi nënkryetari i Listës serbe në RTS.

Zëdhënësi i kësaj të fundit, ka ripërsëritur pretendimet e presidentit se në mëngjes është planifikuar “dëbimi i policëve serbë”, teksa më pas u largua nga debati.

Simiq edhe ditë më parë ka marrë pjesë në një takim me të parin e shtetit serb pas njoftimit të Qeverisë së Kosovës për mos-mbajtjen e zgjedhjeve serbe në vendin tonë.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se Lista Serbe dhe stafi serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës derisa të kthehet në postin e saj Lilana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, e suspenduar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për pjesëmarrje në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Gjatë protestës së serbëve në Mitrovicë të Veriut nuk ka pasur fjalime, ndërsa njoftimin për pezullimin e punës në insititucionet e Kosovës Rakiq e tha për mediat, pas protestës.

Ndërkohë, nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetar i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha në Graçanicë se mesazhi kryesor i protestës ishte “të ndalet dhuna institucionale ndaj serbëve”.

Serbët e Kosovës kanë protestuar në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë afër Prishtinës, kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, më 3 prill.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar se punonjësit e institucioneve të financuara nga Serbia kanë pasur “obligim pune” të marrin pjesë në protesta.

Protestuesit mbanin parulla “Me paqe kundër dhunës së Kurtit” “Kurti nuk do t’i dëbojë serbët nga Kosova dhe Metohia”, “Duam vetëm të drejtat tona”.

Popullata e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës ka protestuar në Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata që jetojnë në gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, kishin arritur në mënyrë të organizuar në Graçanicë.

Protestat në veri të Mitrovicës dhe në Graçanicë kanë kaluar qetë dhe pa incidente.

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, kishin shprehur shqetësime për rrezikun e përshkallëzimit apo dhunës në protestat e së premtes.

Vendet e Quint-it dhe BE-së, po ashtu kanë përsëritur thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga secila retorikë apo vendim, që mund të çojë në rritje të tensioneve.

Prishtina zyrtare pretendon se zgjedhjet serbe në Kosovë nuk ishin të ndaluara, porse nuk u arrit marrëveshje ndërmjet dy palëve për mbajtjen e tyre. Kryeministri Albin Kurti këmbënguli që Beogradi zyrtar t’i dërgojë një kërkesë të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, gjë të cilën Serbia e vlerësoi si presion për njohjen e Kosovës dhe refuzoi ta bëjë këtë.

Shtetet e Quint-it kritikuan ashpër Qeverinë e Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve. Quint-i deklaroi se e vlerësoi qasjen e Serbisë në gjetjen e zgjidhjes, por se Kosova ka refuzuar një propozim konstruktiv nga shtetet e Quint-it për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Propozimi i Quint-it ishte që zyrtarët ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë të përdoren si kanali i vetëm zyrtar i komunikimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, për të përcjellë kërkesat e Serbisë tek autoritetet kosovare.

Lidhur me dështimin e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takua me përfaqësuesit serbë të Kosovës në Beograd, më 22 mars. Në takim morën pjesë edhe gjyqtarë dhe zyrtarë policorë serbë që punojnë në institucionet e Kosovës.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka suspenduar të enjten kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Lilana Stevanoviq, për pjesëmarrje në atë tubim, deri në vendimin përfundimtar të komisionit disiplinor. Zyrtarët e Kosovës thanë se pjesëmarrja e saj në tubim minon integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtares.

Të premten, Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është duke u “shqyrtuar” edhe pjesëmarrja e drejtuesve të policisë serbe në takimin me Vuçiqin.

Pas suspendimit të Lilana Stevanoviqit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me këtë veprim është shkelur Marrëveshja e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vitit 2013. Marrëveshja integroi forcat policore dhe gjyqësorin brenda sistemit të Kosovës.

Serbëve të Kosovës u është thënë se do të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit, në Serbinë qendrore.

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci