Të fundit

Propozohet shkëputja e kontratës 10 milionëshe me kompaninë armene, drejtori i ATK-së refuzon

Administrata Tatimore e Kosovës ka refuzuar të shkëpusë një kontratë të rëndësishme, por të dështuar, me një konsorcium privat nga Armenia, pavarësisht se “IUNetworks” LLC ka shkelur të gjitha afatet për zbatimin e kontratës. Paparaci, sjell prapaskenat e ngjarjes. 

Menaxhmenti i Administratës Tatimore të Kosovës ka refuzuar të shkëpusë kontratën e vlefshme 10 milionë euro me një kompani armene, pavarësisht shkeljeve skandaloze në procesin e zbatimit të saj.

Kontrata e lidhur mes ATK-së dhe një konsorciumi privat, të kryesuar nga kompania armene “IUNetworks”, ishte konsideruar një nga marrëveshjet më të rëndësishme të administratës së tatimeve.

Përmes saj, parashihej modernizimi i sistemit të teknologjisë informative të ATK-së.

Por dy vjet nga nënshkrimi i kontratës, përmes një procedure tenderuese të dyshimtë të prokurimit, ATK-ja vazhdon të funksionojë me sistem të vjetër të teknologjisë informative.

Kontrata e rëndësishme ka dështuar të zbatohet. Kompania armene “IUNetworks” nuk i ka respektuar kushtet e kontratës, ka gjetur një raport i Ekipit për Menaxhmin e Kontratës për Projektin e Modernizimit të TI-së.

Konsorciumi i kryesuar nga kompania armene – pjesë e së cilës janë edhe tri kompani kosovare: “Mikrobiz”, “PBC” Sh.P.K. dhe “Tax Accounting Group” – nuk ka dorëzuar furnizimet sipas kushteve dhe kohës së paraparë me kontratë.

“Kontrata e lidhur në mes të Administratës Tatimore të Kosovës dhe Grupit ekonomik i operatorëve ekonomik: ‘IUNetworks’ LLC për furnizimin e Sistemit të Teknologjisë Informative sipas kërkesave dhe nevojave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), e cila përmban, përveç tjerash, Planin për Implementimin e Projektit me të cilin rregullohen afatet për dorëzimin, instalimin, furnizimin deri në pranimin operacional të Sistemit të TI-së, në tërësi, është kontratë e cila deri më tani është amendamentuar dy herë si rezultat i vonesave të shkaktuara nga OE”, thuhet në një raport të Ekipit për Menaxhimin e Kontratës.

Ekipi për Menaxhimin e Kontratës, në dy raporte të ndara në fund të vitit të kaluar, alarmoi menaxhmentin e ATK-së për shkeljen e kushteve të kontratës nga kompania private armene.

Bazuar në raportet e ekipit të brendshëm të administratës, e cila mbikëqyr zbatimin e kontratës, Administrata Tatimore e Kosovës filloi aplikimin e “penalltive” ndaj një konsorciumit të papërgjegjshëm privat.

Dëmet e shkaktuara ndaj ATK-së për shkak të moszbatimit të kontratës nga konsorciumi armen, sipas ekipit nën mbikëqyrje të kontratës, kanë arritur në vlerën e mbi 980 mijë eurove apo 10 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratës mes palëve (9.79 mln euro).

“Ekipi për Menaxhimin e Kontratës me datë 03.03.2022 nga Divizioni i Prokurimit ka pranuar njoftimin në lidhje me vlerën e llogaritur të dëmeve të likuiduara, të cilat deri më datën 02.03.2022 kanë arritur vlerën prej 980,189.53€. Vlera e llogaritur e dëmeve të likuiduara ka arritur në normën 10% të vlerës së përgjithshme të kontratës”, propozon ekipi i brendshëm i ATK-së, vendimin e së cilit e ka siguruar Paparaci.

Sipas rregullave të prokurimit publik, në rast se vlera e dëmeve të likuiduara arrin vlerën prej 10 për qind të shumës së përgjithshme të kontratës, Autoriteti Kontraktues – në këtë rast ATK-ja – ka të drejtë të shkëputjes së kontratës.

Ngjashëm, ka rekomanduar edhe Ekipi për Menaxhimin e Kontratës.

Ekipi, bazuar në ligj, i ka propozuar menaxhmentit të ATK-së që të ndërpresë kontratën me “IUNetworks”.

“Andaj, bazuar në gjendjen e konstatuar, Ekipi për Menaxhimin e Kontratës, mbi bazën e autorizimeve, referuar nenit 61.26 dhe 61.27 të “‘Rregullat dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurim Publik”, dhe dispozitave pasuese, rekomandon të veprohet sipas kushteve të kontratës dhe dispozitave ligjore”, rekomandon ekipi.

Megjithatë, menaxhmenti i ATK-së ka refuzuar t’i japë fund marrëveshjes afër 10 milionë euroshe me kompaninë armene, e cila është e lidhur me tri kompani kosovare.

Një zëdhënëse e Administratës Tatimore i tha Paparacit të martën se “kontrata është në fazën e realizimit të saj”, pavarësisht raportit të ekipit mbikëqyrës që rekomandon shkëputjen e marrëveshjes.

“Ju njoftojmë se kontrata është në fazën e realizimit të saj, dhe në bazë të rrethanave që do të paraqiten gjatë realizimit të kontratës, do të veprohet sipas kushteve të kontratës dhe rregullave të aplikueshme në Kosovë”, ka thënë Valentina Bytyçi-Sefa, zëdhënëse e ATK-së.

Paparaci, në janar të këtij viti raportoi se ATK-ja ekzekutoi rreth dy milionë euro në xhirollogaritë e konsorciumit armen, pavarësisht se ai nuk dorëzoi asnjë furnizim, si dhe nuk kreu asnjë shërbim të paraparë me kontratë.

Për këtë, administrata mori qortim edhe nga një ekspert i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i përfshirë në proces, ka mësuar Paparaci nga burime brenda ATK-së.

Fondet për realizimin e kësaj kontrate janë siguruar nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe, një pjesë prej tyre, nga ato të Bashkimit Evropian.

Momenti i nënshkrimit të kontratës mes drejtorit të ATK-së, Ilir Murtezaj dhe një përfaqësuesi të kompanisë armene “IUNetworks”/ Janar, 2020

Konsorciumi armen ka plotësuar kriteret e kërkuara në kontratën për “Modernizimin e Sistemit të Teknologjisë Informative të ATK-së”, kishte thënë Administrata Tatimore e Kosovës në janar, 2020, pas lidhjes së marrëveshjes me “IUNetworks”.

Në një njoftim për shtyp, ATK-ja ishte krenuar me zhvillimin e procedurave tenderuese krahas tenderit, të cilat i quajti “të rregullta”.

“Në Administratën Tatimore të Kosovës sot është finalizuar marrëveshja kontraktuale me konsorciumin i cili pas procedurave të rregullta të prokurimit, ka fituar tenderin për implementimin e projektit të modernizimit të teknologjisë informative”, thuhet në njoftim.

ATK-ja njoftoi se “përmes sistemit të ri të teknologjisë informative, do të lehtësohet deklarimi dhe pagesa e tatimeve, si dhe do të mundësohen metoda elektronike shumëkanalëshe të komunikimit”.

Qëllimi bazë i këtij projekti ishte modernizimi i proceseve biznesore, lehtësirave për përmbushjen e tatimeve nga tatimpaguesit, ofrimi i shërbimeve elektronike me synim zëvendësimin e shërbimeve me letër.

Gjithashtu, procesi pritej të lehtësonte menaxhimin e proceseve ne mënyrë me efikase dhe inteligjente. /Paparaci.com

Thellohet skandali i kontratës milionëshe në ATK – ndëshkohet konsorciumi armen

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci