Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar deputetin e Listës Serbe, Igor Simiq, i cili ka shkruar se Njësia Speciale e Kosovës gjatë zëvendësimit të zyrtarëve mbrëmë, kanë dëmtuar qëllimisht një numër automjetesh private të parkuara në pronësi të serbëve, në Bernjak.
“Policia e Kosovës me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimin tendencioz dhe të pavërtetë të Igor Simic të publikuar në rrjetin e tij social facebook, të titulluar – Primitivizëm i Njësive Speciale të Kosovës në Bërnjakë, i cili pastaj si spekulim i tillë është publikuar edhe në portalin serb Kosovo -online”, thuhet në reagimin e PK-së.
Policia shtoi se veprimet policore merren konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, dhe “nuk bie pre e provokimeve të vazhdueshme, dezinformatave dhe lajmeve të rrejshme të orientuara me qëllime të caktuara politike”.
“Policia e Kosovës ka bërë verifikimet zyrtare me njësitet relevante në terren dhe është vërtetuar se informacionet e tilla janë të pavërteta, pasi njësitet policore në asnjë rrethanë nuk janë të përfshirë, andaj shkrimet e tilla janë spekulime, të paqëndrueshme dhe të orientuara politikisht, me qëllim të destabilizimit të situatës dhe njollosjes së njësiteve elite të Policisë së Kosovës”, thuhet tutje.