Të fundit

Tenderi 247 mijë eurosh i UP-së, shpërblehet kompania që nuk i plotësoi kriteret

Eros Klaiqi

Në korrik të vitit 2020, Universiteti i Prishtinës (UP) kishte iniciuar aktivitet të prokurimit përmes procedurës së hapur, për ta ndërtuar një rrugë dytësore e cila do të lidhte Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBV) me rrugën kryesore. Për këtë tender kanë ofertuar tre operatorë ekonomikë, për të cilin ishte parashikuar shuma prej 250,000.00 euro.

Për tenderin në fjalë të titulluar si “Vazhdimi i projektit në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBV), rregullimi i rrugës”, operator fitues u shpall B.I. Halit S. Rama, i cili kishte ofertuar me vlerë prej 247,541.00 euro.

Kriteri për dhënien e kësaj kontrate ka qenë oferta e përgjegjshme me çmimin më të ulët, mirëpo si ofertë, ajo e fituesit rezulton si më e shtrenjta. Dy ofertat e tjera pjesëmarrëse kanë ofertuar me çmim dukshëm më të lirë, ajo e konsorciumit të kryesuar nga operatori ekonomik IR Project me 187,308.00 euro apo 60,233 më lirë dhe ajo e operatorit ekonomik Mak- Building Sh.P.K. me çmim prej 200,194.00 euro.

Ofertat e dy operatorëve ekonomikë janë cilësuar si të papërgjegjshme me arsyetimin se ato nuk ishin në përputhshmëri me kërkesat e parashtruara në Dosjen e Tenderit dhe në njoftimin për kontratë, gjë që të gjeturat e hulumtimit tregojnë që as fituesi nuk ka ofertë të përgjegjshme.

Pra, Zyra e Prokurimit të UP-së e vlerësoi ofertën e operatorit Halit S. Rama si “të përgjegjshme”, pavarësisht se oferta e tij nuk ofroi dëshmi për përfundimin me sukses të projekteve në fushë të ngjashme – për rrugë dhe kanalizime – në vlerë jo më pak se 350,000 euro, kërkesë kjo e Dosjes së Tenderit. Në listën e punëve të kryera, kompania Halit S. Rama nuk ka prezantuar asnjë projekt të fushës së ndërtimit të rrugëve apo kanalizimeve. Figurojnë vetëm punë të kryera në fushën e ndërtimtarisë, që përfshijnë hidroizolimin, rregullimin e dyshemeve, izolimin etj.

As në regjistrin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), kësaj kompanie nuk i figuron fushëveprimtaria në ndërtimin e rrugëve dhe kanalizimeve. Në certifikatën e ARBK-së, si aktivitet primar i kompanisë Halit S. Rama ceket ndërtimi i objekteve banesore dhe jobanesore.

Një kërkesë tjetër e Dosjes së Tenderit, e pa përmbushur nga kompania fituese e tenderit, ndërlidhet me përvojën profesionale të një inxhinieri të gjeodezisë. Operatori ka dështuar të ofrojë dëshmi që tregojnë se inxhinieri i gjeodezisë ka eksperiencë profesionale prej 4 vitesh, siç është kërkuar në kërkesat e tenderit. Në këtë drejtim, është paraqitur vetëm një dokument i referencës së punës së inxhinierit me dy vite përvojë profesionale.

Për shkak të këtyre mangësive, oferta e këtij operatori është dashur të shpallet e papërgjegjshme dhe si të tillë, autoriteti kontraktues (AK) e ka obligim ligjor ta refuzojë.

Nga ana tjetër, komisioni vlerësues i ofertave kishte eliminuar grupin e operatorëve ekonomikë IR Project; Companya Eskavatori Sh.P.K.; N.N.P.T. Engineering, me ofertë mbi 60 mijë euro më të lirë sesa kompania fituese, me arsyetimin se i kanë munguar certifikatat ISO – respektivisht kanë qenë të panoterizuara – si dhe për menaxherin e projektit, operatori nuk e ka ofruar certifikatën për sisteme hidroizoluese kristaline, riparuese dhe mbrojtëse.

Në dokumentet e siguruara nga Universiteti i Prishtinës, është gjetur se grupi i operatorëve ekonomikë, i udhëhequr nga IR Projekt, ka ofruar certifikata ISO valide, të cilat komisioni ka mundur t`i verifikojë edhe online, apo të kërkojë informata shtesë nga grupi i operatorëve ekonomikë ashtu siç parashihet me legjislacionin e prokurimit publik.

Ndërkaq, oferta e dytë me çmimin më të lirë, ajo e operatorit Mak – Building Sh.P.K. është eliminuar me arsyen se i mungojnë inxhinierët e kërkuar.

Punimet në rrugën që lidh Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë me rrugën kryesore janë përmbushur sipas afateve të parapara me planin për menaxhimin e kontratës. Pavarësisht që i kontraktuari kishte përfunduar pjesën e vet, autoriteti kontraktues nuk kishte arritur t’i kryejë obligimet financiare ndaj kësaj kompanie, me ç’rast buxheti i shtetit ishte dëmtuar për rreth 2 mijë euro.

UP-ja nuk i kryen obligimet me kohë, ia humb buxhetit të shtetit rreth 2 mijë euro

Gjashtë muaj pas afatit të përcaktuar me ligj, Universiteti i Prishtinës nuk i kishte kryer obligimet financiare ndaj operatorit Halit S. Rama, fitues i kontratës për rregullimin e kësaj rruge.

Vonesat në pagesën e obligimeve kanë ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve sa i përket pagesës së faturave.

Si pasojë e moskryerjes së obligimeve, operatori ka angazhuar përmbaruesin privat Fadil I. Hoxha për përmbarimin e borxhit. Ky përmbarues privat i ka propozuar Departamentit të Thesarit në Ministrinë e Financave, që t’i bllokojë xhirollogaritë e UP-së dhe ta transferojë shumën prej 100,119.00 euro, të obliguara sipas faturës me nr. 35-220-001-20, së datës 2 tetor 2020, në xhirollogarinë e përmbaruesit.

Sipas dokumenteve, MF-ja ka aprovuar urdhëresën e përmbaruesit të nxjerrë më datë 23 mars 2021, pesë muaj pas lëshimit të faturës. Kësisoj, procedura përmbarimore i ka krijuar UP-së pagesa shtesë nga buxheti në shumë prej 1,995.00 euro, si dhe 109.00 euro të tjera për taksë përmbarimore.

Nga UP-ja janë kërkuar sqarime rreth faktit të shpalljes fitues të një kompanie të papërgjegjshme si dhe moskryerjes me kohë të obligimeve të rrjedhura nga kontrata. Ky institucion ka ofruar qasje në dokumente publike, por nuk është përgjigjur në pyetjet shtesë të cilat u janë drejtuar Sekretarit të UP-së dhe zyrtarit kryesor të prokurimit përmes adresës elektronike, më 26 prill të këtij viti.

Në pyetjet me shkrim, nuk është përgjigjur as operatori ekonomik Halit S. Rama, nga i cili është kërkuar të dokumentojë në qoftë se posedon dëshmi të tjera për përvojen profesionale të inxhinerit të gjeodezisë, për të cilin ka ofruar referenca vetëm për 2 vite dhe jo 4 sa kërkohej në Dosjen e Tenderit.

Deklaratë mohimi:

Ky artikull është botuar në kuadër të projektit “Qeverisje e mirë: prokurim publik dhe politik-bërje e avancuar” i financuar nga BE,  zbatuar nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e D+ dhe të Bashkimit Evropian.

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci