Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka njoftuar se ka vizituar Manastirin e Deçanit, të martën.
Në këtë vizitë, ai qe i shoqëruar nga trupi diplomatik i Kosovës.
Të njëjtit u pritën nga igumeni Sava Janjiq.
“Kënaqur të bashkohem me kolegët nga trupi diplomatik i Kosovës në një vizitë në Manastirin e bukur historik të Deçanit”, shkroi Hovenier në Twitter.
https://twitter.com/USAmbKosovo/status/1529084371336060928?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1529084371336060928%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fpas-komunikates-se-quintit-ambasadoret-e-huaj-shkojne-per-vizite-ne-manastirin-e-decanit%2F
Megjithatë, më 20 maj, shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë.
Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Më 20 maj mbushen gjashtë vjet qëkur Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim që t’i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë.
Ky vendim nuk është zbatuar, pavarësisht se vendimet e Kushtetueses janë të obligueshme.
“Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në reagimin e QUINT-it.
QUINT disa herë i ka bërë thirrje Kosovës që të zbatojë vendimin e Kushtetueses.
