Ministria për Komunitete dhe Kthime e udhëhequr nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq e ka dëmtuar buxhetin e shtetit me 104 mijë euro për pagesa të zyrtarëve që nuk shkojnë fare në punë. Këto mjete janë dhënë nga kjo ministri për 20 zyrtarë që do të duhet të kryenin shërbime, por të cilët nuk janë paraqitur fare në punë, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit shpërbërjen e të
ashtuquajturës “Mbrojta Civile” e cila ka funksionuar në komunat veriore të
Kosovës.
Këto shkelje janë bërë të ditura nga gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare për vitin 2021.
“MKK kishte realizuar pagesa në vlerë 104,000€ për punonjës të angazhuar me Marrëveshje të Brukselit, të cilët nuk kanë dëshmi të plotë për vijueshmëri në punë”, thuhet në gjetjet e Auditorit.
Auditori ka theksuar se 20 pjesëtaret e angazhuar në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim ishin angazhuar në disa projekte për disa ditë, por që kjo dukuri e mos vijimit në punë vazhdon të jetë prezentë në raportet e auditimit.
“Në kuadër të kësaj marrëveshje për integrim, në MKK përmes aktemërimeve janë punësuar 20 pjesëtarë të ashtuquajturës ‘’Mbrojtja civile’’ të cilët marrin paga të rregullta mujore. Shpenzimet për pagat e tyre për vitin 2021 ishin 104,000€. MKK kishte filluar të punësuarit t’i angazhoj në monitorim të projekteve kapitale për disa ditë⁴ gjatë vitit. Kjo dukuri vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi raportohet në raportet tona të auditimit”, thuhet tutje në raport.
Për mos paraqitjen në punë të këtyre 20 punëtorëve përveç që i ka shkaktuar dëm 104 mijë euro buxhetit të shtetit, sipas Auditorit nuk ndihmon në arritjen e objektivave sipas Marrëveshjes së Brukselit për integrimin e të ashtuquajturës “Garda Civile” në institucionet e shtetit të Kosovës.
“Ndikimi Pagesa e pagave për punonjës që nuk paraqiten në punë, shkakton dëmtim të buxhetit të ministrisë si dhe mos arritje të objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës”, thuhet në konstatimin e Auditorit.
Në këtë mënyrë i është rekomanduar ministrit, Goran Rakiq që të sigurojë që vijueshmëria e 20 zyrtarëve publik të jetë e rregullt dhe të monitorohet vazhdimisht.
“Ministri duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar kushte pune dhe vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore”, thuhet në rekomandim.
Marrëveshja e Brukselit për integrimin e pjesëtarëve të të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” ishte nënshkruan më 22 korrik të 2015-s me ndërmjetësueses Federica Mogherini kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij serb Ivica Daçiq./Paparaci/
