Luan Dalipi, Shefi i Stafit në Zyrën e Kryeministrit Albin Kurti, gjatë vitit 2021 krahas detyrave në Qeveri, kreu punë edhe tek një biznes privat.
Rrafsh 6 mijë euro janë të hyrat vjetore që ka realizuar Dalipi si konsulent, në kompaninë Management Development Associates (MDA) në Prishtinë, raporton Buletini Ekonomik
Këto të hyra, Dalipi i ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit me rastin e deklarimit të pasurisë, mirëpo ai nuk i ka treguar punët që ka kryer gjatë kësaj kohe në MDA dhe projektet për të cilat ka qenë i angazhuar.
Në formularin për deklarim të pasurisë, shefi i Stafit të Kryeministrit, veç kësaj, ka thënë se posedon shtëpi të vlefshme rreth 600 mijë euro në lagjen “Marigona Residence”, si dhe një veturë Mercedes E 220.
Përkundër insistimit të Buletinit Ekonomik, Dalipi nuk ka kthyer përgjigje rreth këtij angazhimi. Ai nuk ka pranuar ta sqarojë për publikun nëse punët e kryera në MDA bien ndesh me Ligjin për Konflikt të Interesit, marrë parasysh faktin se kjo kompani është e njohur për kontrata me qeverinë.
Njëjtë sqarime nuk kanë dhënë as nga kompania MDA.
Për më tepër, Dalipi është bashkë-themelues i MDA-së dhe ka qenë aksionar në këtë firmë deri në vitin 2017./Buletini Ekonomik
Lexo edhe:
