Të fundit

ATK-ja ia paguan mbi 2 mln € kompanisë armene pa kryer asnjë shërbim

Një tender i ATK-së që u përcoll me hije të rënda dyshimi, ka rezultuar i dështuar dy vjet pas nënshkrimit të kontratës. Skandali është thelluar me ekzekutimin e mbi 2 mln € në xhirollogaritë e një kompanie të papërgjegjshme armene. Paparaci sjell detajet e aferës.

Eros Klaiqi

Rreth dy milionë euro nga buxheti i Administratës Tatimore të Kosovës janë transferuar në xhirollogaritë e një konsorciumi nga Armenia, i cili ka dështuar të zbatojë një kontratë të lidhur me institucionin e tatimeve gati dy vjet më parë.

“IUNetworks”, një kompani me bazë në Yerevan të Armenisë e cila udhëhiqet nga sipërmarrësi Vahram Merangulyan, kryesoi konsorciumin privat që vitin e kaluar fitoi tenderin për “Modernizimin e Sistemit të IT-së në ATK”, të vlefshëm 9.79 milionë euro.

Konsorciumi përbëhej edhe nga tri kompani kosovare: “Mikrobiz”, “PBC” Sh.P.K. dhe “Tax Accounting Group”.

Dyshimet e ngritura nga kompanitë e tjera konkurruese kundër ligjshmërisë së kontratës mes ATK-së dhe konsorciumit armen, kanë rezultuar të sakta. Bashkësia e kompanive që u shpërblyen me kontratë për modernizimin e sistemit të IT-së së administratës, ka dështuar të zbatojë kontratën.

Prej 15 janarit, 2020, kur marrëveshja hyri në fuqi, konsorciumi privat nuk e ka zbatuar asnjë nen të kontratës.

“IUNetworks”, nuk ka dorëzuar ende asnjë shërbim rreth dy vjet pas nënshkrimit të kontratës, thotë një vlerësim i brendshëm i Administratës Tatimore të Kosovës – dokument të cilin e ka siguruar mediumi online Paparaci.

Kësisoj, një ekip i ATK-së i ngarkuar me detyrën për menaxhimin e kontratës që peshon afër 10 milionë euro, i ka rekomanduar ekzekutivit të aplikojë dënime ndaj konsorciumit privat për mungesë të zbatueshmërisë së marrëveshjes.

Faza e parë e kontratës ka dështuar plotësisht, vlerëson rekomandimi i ekipit të brendshëm të ATK-së.

“Pas trajtimit të parashtresës së pranuar nga Ekipi për Menaxhimin e Kontratës ju njoftojmë se nga data 04.10.2020 do të fillojë aplikimi i dëmeve të likuiduara sipas nenit 12.6.1., 12.6.2., pika (a) të Kushteve të Veçanta të kontratës, me 0.25% në ditë të vlerës së produkteve”, paralajmëron ATK-ja, konsorciumin armen.

ATK-ja, që siç ka mësuar Paparaci i ka derdhur rreth dy milionë euro në xhirollogaritë e konsorciumit të papërgjegjshëm privat, kërcënon atë me ndërprerje të kontratës.

“Nëse furnizuesi nuk është në gjendje t’i kryejë detyrimet sipas kontratës së nënshkruar më 15.01.2020 dhe shtojcës 2 – plani kohor i zbatimit të realizimit të kontratës që i përket amandamentimit nr.2, autoriteti kontraktues do të ndërmarrë veprimet e mëtejme për ndërprerjen e kontratës sipas kushteve të kontratës”, thuhet në dosjen e ATK-së, dërguar konsorciumit.

Paparaci, ka mësuar nga burime të mirëinformuara brenda institucionit se ATK-ja i pagoi rreth dy milionë euro konsorciumit armen ndonëse ai nuk ka dorëzuar asnjë shërbim të paraparë me kontratë. Për këtë, siç mëson Paparaci, administrata ka marr qortim nga një ekspert i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i përfshirë në proces.

Fondet e projektit janë siguruar nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe nga ato të Bashkimit Evropian, raporton Paparaci.

ATK-ja ka heshtur të enjten kur është pyetur nga Paparaci në lidhje me aferën e kontratës. Deri në momentin e publikimit të artikullit nuk është përgjigjur në pyetjet e mediumit rreth pagesës, dështimit për zbatimin e kontratës dhe mundësisë së ndërprerjes së saj.

Hijet e dyshimit që përcollën aktivitetin e prokurimit

Modernizimi i proceseve dhe sistemit teknologjik të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) kishte mbetur pezull për dy vjet para se të nënshkruhej kontrata. “Sherr” ishin bërë procedurat e dyshimta të zhvilluara gjatë aktivitetit të prokurimit.

Dy konsorciume ishin ballafaquar me njëra-tjetrën për më shumë se dy vjet.

Por, procedura e tenderimit kishte marrë epilog final më 25 shtator, 2020 kur Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) e kishte shpallur fitues të kontratës konsorciumin nga Armenia.

ATK kishte ndarë 10 milionë euro më 28 gusht të vitit 2017 – kur nisi zyrtarisht procedura tenderuese – për “Modernizimin e Sistemit të Teknologjisë Informative për Nevoja të AK-së”.

Gjashtë konsorciume i ishin përgjigjur ftesës për aplikim në këtë proces, i cili u zhvillua përmes tri procedurave: të parakualifikimit, të tenderimit dhe të negociatave. Vetëm dy – një armen dhe një austriak – ishin kaluan deri në fazën e tretë, atë finale.

Konsorciumin austriak e kryesonte kompania me bazë në Vjenë, “Qualysoft Gmbh”. Ajo kishte ofertuar çmim prej 270 mijë euro më të lirë sesa konsorciumi armen.

Oferta e konsorciumit fitues vlente 9,793,561.00 euro, ndërkaq oferta e konsorciumit austriak kishte çmim prej saktësisht 9,500,000.00 euro.

“Qualysoft” Gmbh, e kishte kundërshtuar vendimin e ATK-së për eliminimin e ofertës së saj. Kishte deponuar ankesë pranë Gjykatës së Tenderëve.

Në ankesë, pretendohej se ATK-ja ka shkelur tri nene të Ligjit të Prokurimit Publik në rastin e dhënies së kontratës 10 milionë euroshe.

“Oferta jonë është më e lirë për nga çmimi për afro 300 mijë euro dhe softueri i ynë është aktualisht në përdorim në Shqipëri dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Pra ky softuer është i dëshmuar dhe në funksionim të plotë me referenca reale, të cilat janë njohur edhe nga organizatat kredibile evropiane”, pretendonte konsorciumi i eliminuar nga procesi tenderues i ATK-së.

ATK-ja krenohej me “procesin e rregullt” të tenderimit

Konsorciumi armen ka plotësuar kriteret e kërkuara në kontratën për “Modernizimin e Sistemit të Teknologjisë Informative të ATK-së”, kishte thënë Administrata Tatimore e Kosovës në janar, 2020, pas lidhjes së kontratës me “IUNetworks”.

Në një njoftim për shtyp, ATK-ja u krenua me zhvillimin e procedurave tenderuese krahas tenderit, të cilat i quajti “të rregullta”.

“Në Administratën Tatimore të Kosovës sot është finalizuar marrëveshja kontraktuale me konsorciumin i cili pas procedurave të rregullta të prokurimit, ka fituar tenderin për implementimin e projektit të modernizimit të teknologjisë informative”, thuhet në njoftim.

ATK-ja njoftoi se “përmes sistemit të ri të teknologjisë informative, do të lehtësohet deklarimi dhe pagesa e tatimeve, si dhe do të mundësohen metoda elektronike shumëkanalëshe të komunikimit”.

Qëllimi bazë i këtij projekti ishte modernizimi i proceseve biznesore, lehtësirave për përmbushjen e tatimeve nga tatimpaguesit, ofrimi i shërbimeve elektronike me synim zëvendësimin e shërbimeve me letër.

Gjithashtu, procesi pritet të lehtësonte menaxhimin e proceseve ne mënyrë me efikase dhe inteligjente. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"Kom rrudha, s'kom hundë perfekte": Deputetja e PDK-së tregon a ka ndërhyrje estetike, flet edhe për debatet - "Meniher ta tregoj Arianën e egër"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci