Të enjten, më 4 gusht, ka marrë epilog përfundimtar kontesti për pronat shoqërore të uzurpuara nga Bedri Selmani.
Tribunali i Arbitrazhit Ndërkombëtar ka vendosur në favor të Qeverisë së Kosovës dhe kundër padisë së ushtruar nga ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, ka mësuar ekskluzivisht Paparaci nga burime të afërta me qeverinë.
Bedri Selmani, e kishte dorëzuar padinë ndaj Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris të Francës, më 29 prill të vitit 2019. Kishte kërkuar 65 milionë euro kompensim nga shteti.
Selmani e kishte sfiduar shtetin në të gjitha mënyrat. Ai kishte pushtuar pas lufte një hapësirë të madhe toke shoqërore si dhe një objekt të cilin e kishte kthyer në hotel, kishte raportuar Koha Ditore më 2013.
Më 2013, i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila i kishte dhënë përgjigje negative pretendimeve të këtij ish-deputeti të PDK-së.
Ai kishte kërkuar edhe të drejtën e parablerjes së tokës shoqërore ku janë ndërtuar objektet e “Autoservisit” dhe hotelit e restorantit “Victory” me rastin e privatizimit. Edhe këtë kërkesë e kishin hedhur poshtë gjykatat vendore.
Pasi i ishin shterur rrugët ligjore, Bedri Selmani e kishte paditur Republikën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris të Francës. .
Përveç padisë në Arbitrazh, Bedri Selmani ka ushtruar edhe një padi civile kundrejt Qeverisë së Kosovës në gjykatat vendore.
Sipas padisë të cilën e publikoi Paparaci para rreth një muaji, Selmani ka kërkuar dëmshpërblim nga shteti për shpronësimin, siç pretendon ai, të kundërligjshëm të një sipërfaqeje tokësore ku ndodhet Hoteli “Victory” në Prishtinë.
Përfundojnë procedurat e Arbitrazhit në rastin Selmani, pritet vetëm vendimi
Bazuar në vendimet e autoriteteve vendore, Selmani e kishte mbajtur të uzurpuar parcelën e tokës tek Hoteli “Victory” për 13 vjet.
“DETYROHET i padituri, Qeveria e Republikës së Kosovës që paditësit, Ndërmarrja ‘Kosova Petrol’, me pronar Bedri Selmanin, në emër të kompensimit të dëmit për punët përgatitore në ndërtimin e rrethrrotullimit t’i paguaj shumën prej 186.585 euro, në emër të kompensimit të dëmit për shpronësimin e kundërligjshëm të objektit afarist të ndërmarrjes dhe mjeteve të punës t’i paguaj shumën prej 171.463 euro, në emër të kompensimit të dëmit në emër të afarizmit t’i paguaj shumën prej 5.309.397 euro, apo shumën e tërësishme prej 5.667.445 euro”, thuhet në padi.

“Dhe të gjitha me kamatë ligjore prej 3.5%, nga dita e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet e procedurës në shumë aq sa do të jenë në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, dhe krejt këto brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nën kërcënim përmbarimi të dhunshëm”, vijon padia e ushtruar nga Selmani ndaj shtetit.
Shteti kontrakton profesorin e UP-së në Arbitrazhin kundër Bedri Selmanit
Kosova triumfon në kontestin ndaj një kompanie private në Arbitrazh
