Të fundit

Turpi që do të rëndoj gjatë mbi supet e Kryeministrit!

Shkruan: Selim Marevci

Epo, s’ka qysh të ndodh tjetër veçse pesha e turpit të rëndoj mbi këtë qeveri të llastuar. Qeveri e arrogancës së numrave, që nga fodullëku e mendjemadhësia kokën veç përpjet apo “kryt n’hava” siç thotë populli. Mirëpo, edhe këtë e thotë populli, mos harro z. Kryeministër, “mendja e madhe e zeza e kresë”.

Është e vërtetë që nga turpi nuk vdes njeriu fizikisht, por t’i vdesin parimet njerëzore kjo do të ndodh se s’bën. Është e lehtë të kritikohet tjetri, por nuk është aq e lehtë të gjenden prova për atë kritik. Sot, më shumë se kurrë jemi zhytur në llumin e kritikave ndaj njëri-tjetrit. Inatet politike ndonjëherë shkojnë aq larg, saqë individ, grupe e komunitete të tërë etiketohen, ofendohen e denigrohen skajshmërisht. E, fatkeqësisht aktualisht Qeveria e Kosovës, në krye me z. Albin Kurti, i kanë futur në objektiv të qitjes mësimdhënësit e nderuar, të cilët dhanë nga vetja dhe mundësinë e fundit që patën. Madje kësisoj nuk vepruan për kohë të shkurtë, por që nga paralufta e këndej, kur u angazhuan me tërë potencialin e tyre në shtimin edukimit dhe të diturisë së rinisë tonë. Në atë botë (para luftës së Kosovës), mësimdhënësit, nuk e shihnin problematike çështjen e pagës së tyre. Të tillët punuan pa asnjë kacidhe si pagesë për punën e tyre të zellshme në mësimdhënie të brezave. Ata sfiduan pushtuesin e dhunshëm dhe rezistuan ndaj çdo dhune që u shkaktua ndaj tyre nga pushtuesi; burgosje, rrahje, tortura fizike e psikike, varfëri e çfarë jo. Pra, qenë të gatshëm të japin çdo gjë nga vetja, që një ditë dinjitetshëm të jetojnë së bashku me familjarët e tyre në shtetin, themelet e së cilit u ndërtuan mbi vuajtjet e tyre dhe djersën e gjakun e luftëtarëve e dëshmorëve.

Vërtetë më habit fakti që, si ka mundësi që dikur mësimdhënësit të ishin hero të këtij vendi, ndërsa sot të shihen me syrin e urrejtjes, të denigrohen, të diskreditohen e të fyhen si mos më keq, madje për gjëra që aspak nuk kanë faj! Si është e mundur që tërë barrën e fajësisë së nivelit të degraduar arsimor t’ua ngarkojnë mbi supet e mësimdhënësve, supe që para luftës së Kosovës mbajtën peshën e aftësimit, edukimit dhe diturisë së të gjithë nxënësve të shoqërisë sonë?!

E para, si ka mundësi të fajësohen mësimdhënësit për nivelin e dobët të dijes së përgjithshme, kur edukimi nga ana e prindërve ndaj fëmijëve të tyre lë për të dëshiruar, thuajse në shumë familje tona? Ja argumenti që e demanton edhe në këtë pretendim Pozitën. E marrim një shembull: nëse në një klasë janë 20 nxënës dhe që të 20 nxënësit e marrin të njëjtin shpjegim apo ligjëratë nga i njëjti mësimdhënës dhe nga 20 nxënësit 10 nga ta marrin nota të mira dhe 10 të tjerë marrin nota të këqija. Nëse akuzojmë mësimdhënësin për paditurinë e 10 nxënësve të dobët, atëherë shtrohet pyetja, kush qe shkaktari për 10 nxënësit me nota të mira?! Thënia: ‘’nëse çojmë fëmijë të paedukuar në shkollë, natyrisht se do të nxjerrim nxënës të paditur pas mbarimit të shkollës, e nëse çojmë fëmijë të edukuar në shkollë, natyrisht se do të nxjerrim fëmijë të ditur pas përfundimit të shkollës.

E dyta, si ka mundësi që mësimdhënësit të jenë në nivel të detyrës, kur një numër relativisht i madh i nxënësve, nga paedukata e tyre i kërcënojnë mësimdhënësit me armë të ftohta e të nxehta, gjë që këtë gjë e dëshmon më së miri arsenali i armatimit i zënë para pak ditësh në shkollat tona. Po përdorimi i narkotikëve? Gjithashtu, për kërcënimet e mësimdhënësve nga nxënësit nuk merret asnjë hap nga organet gjegjëse, shto faktin e pagave që janë tejet të ulëta e demotivuese. E pra, si të jenë mësimdhënësit produktiv në situata të tilla? Situata në të cilën gjenden aktualisht mësimdhënësit në Kosovë i ngjason shembullit: sikur të marrim një njeri me duar të lidhura dhe ta hedhim në det, duke kërkuar nga ai të notoj për të dalë nga deti.

E treta, si ka mundësi që të gjithë presidentët, kryeministrat, ministrat, deputetët, të gjithë punëtorët e sektorit publik e privat ta kenë përfunduar të paktën në nivel fakultetit shkollimin nga po këta mësimdhënës që sot jemi duke i cilësuar si të paditur? Është absurditet i llojit të vet të mendohet e të pranohet se, mësimdhënësit të jenë të paditur, ndërsa mësinxënësit që dje e sot kanë ushtruar e vazhdojnë të ushtrojnë pozita të jenë të ditur!

E katërta, si ka mundësi të akuzohet Sindikata e Arsimit për nivelin e dobët të arsimit në vend, kur sindikata nuk punëson mësimdhënës. Mësimdhënësit punësohen nga komunat e qeveria. Gjithashtu, sindikata nuk është organin i cilësisë, ajo merret me kushtet dhe të drejtat e punëtorëve, e nuk merret me cilësinë e arsimit në vend. Përse Ministria e Arsimit nuk e shton numrin e inspektorëve të arsimit, me qëllim që të ketë një kontroll brenda shkollave, që të hiqen nga puna të gjithë mësimdhënësit e paditur, që për mua është numër relativisht i vogël, por kam bindje se ka të tillë që nuk e meritojnë të pjesë sistemit arsimor.

E pesta, si ka mundësi të fajësohen mësimdhënësit për rezultatet e dobëta në PISA, kur për planprogramet arsimore janë kompetent të vetëm Ministria e Arsimit, ndërsa mësimdhënësit janë vetëm ekzekutues të atyre planprogrameve? Në këtë rast, mësimdhënësit nuk kanë gjë në dorën e tyre, veçse shpjegimin apo ligjërimin e njësive mësimore, të cilat janë të hartuara nga Ministria e Arsimit. Çfarë ish dashur të bënte Ministria e Arsimit që në PISA të dalin me rezultatet të mira nxënësit tanë? Ministria e Arsimit ish dashur që gjatë hartimit të planprogrameve shkollore ta ketë parasysh adoptimin apo përputhjen e planprogramit me kërkesat e PISA-s, e pastaj rezultatet të dalin me arritje të kënaqshme. Është tërësisht jashtë logjikës racionale e njerëzore që nxënësit të përgatiten me mësime për diçka tjetër e të hynë në provimin e PISA-s duke pritur rezultate të mira. Kjo i ngjason shembullit: sikur kemi mbjell farën e domates, ndërsa presim që të marrim qepen nga toka.

Për fund, i nderuar Kryeministër i vendit tim, lëri me një anë inatet politike e teket personale, sepse sa më shumë që jeni duke bërë përpjekje për t’i dhunuar mësimdhënësit, aq më shumë po i shpërfaqni dy fakte, që ju dini të flisni e jo të punoni.

Video nga Paradoks

"Sa ma budallë mashkulli ma shumë dhunë", "Fejohen për ni t'shkume n'deti": Valon Syla flet për dhunën ndaj grave, u drejtohet Vjosa Osmanit e Albulena Haxhiut - "Siguria financiare zgjidh shumë sene"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci