Të fundit

Kosova mund të përfundojë e vetmja në rajon pa qasje në gaz

Ditë më parë Qeveria e Kosovës tha se për momentin nuk është e interesuar për ndërtimin e rrjetit të gazit që do të lidhte Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Refuzimi që Qeveria ia bëri këtij projekti nxiti debat në vend pasi partitë opozitare thanë se po refuzohet një projekt amerikan me interes strategjik për vendin.

Projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit me Maqedoninë e Veriut, sipas Qeverisë së Kosovës parashihej të bëhej me mbështetje të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Kostoja e ndërtimit të këtij rrjeti të gazsjellësit si dhe një termocentrali për prodhim të energjisë nga gazi, parashihej të kushtonte rreth 600 milionë euro.

Edhe pse Kosova nuk është e përfshirë në ndonjë projekt tjetër të gazit, Qeveria tha se ndërtimi i këtij projekti nuk ishte ekonomikisht i favorshëm, kështu që vendosi të tërhiqej.

Një prej sfidave të shumë qeverive evropiane në vitet e ardhshme parashihet të jetë siguria energjetike si dhe qasja në sa më shumë burime të energjisë.

Për këtë arsye në vitin 2003, kishte marrë mbështetje ndërtimi i një projekti të rrjetit të gazit natyror, i njohur si Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP). Ndërtimi i projektit të TAP-it filloi në vitin 2016. Tubacionet e gazsjellësit nisin në fushën Shah Deniz II në Azerbajxhan, kalojnë në veri të Greqisë, më pas një pjesë të konsiderueshme të territorit të Shqipërisë nga ku futen nën Detin Adriatik për të dalë sërish në sipërfaqe në jug të Italisë. Aty, tubacionet e gazsjellësit TAP lidhen me rrjetin italian të gazit natyror.

Nga pika ku fillon në Azerbajxhan e deri në Itali, tubacionet e gazsjellësit TAP, përshkojnë afër 3 mijë kilometra rrugë. Për herë të parë në fund të vitit 2020, pas shumë përgatitjeve dhe testimeve, në tubacionet e TAP-it, filloi të rrjedhë gazi i lëngshëm e që arriti në Itali në fillim të muajit janar. Ky projekt kishte marrë mbështetje të madhe nga institucionet e Bashkimit Evropian duke e cilësuar atë si “projekt i interesave të përbashkëta”.

Institucionet evropiane mbështesin Gazsjellësin Trans-Adriatik pasi e shohin atë si një mundësi reale për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të diversifikuar me gaz tregjet evropian, që kryesisht dominohen nga gazi rus. Rusia mbulon mbi 43 për qind të tregut evropian të gazit. Përveç kësaj, një nga objektivat e BE-së është që të reduktojë në maksimum ndotjen nga emetimet të karbonit nga termocentralet prej thëngjilli dhe format e tjera të ndotjes së mjedisit.

Gazi natyror konsiderohet një nga lëndët djegëse më të pastra me emetim minimal të ndotjes. Gazsjellësi TAP në të ardhmen pritet të furnizojë me gaz natyror edhe shtetet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, që tashmë ka nënshkruar një marrëveshje me Greqinë për ndërtimin e një objekti grumbullues të gazit.

Më vonë, Shqipëria pritet të kyçet, vend që tashmë ka kryer studimet e fizibilitetit dhe po punon në ndërtimin e rrjetit të gazit brenda shtetit. Pas shtrirjes së gypave të gazit në Maqedoni të Veriut, qeveritë e kaluara në Kosovë kishin planifikuar që të ndërtonin rrjetin e gazsjellësit për t’u lidhur me këtë shtet. Kjo do t’i mundësonte Kosovës që të blinte sasi të gazit në të ardhmen nga Gazsjellësi Trans-Adriatik.

Për të mos qenë krejtësisht e varur nga gazi rus, Bullgaria nisi ndërtimin e infrastrukturë së gazit në distancë prej 182 kilometrash në drejtim të Greqisë. Projekti ishte paraparë të përfundonte në fund të vitit 2020, mirëpo ka pasur vonesa dhe pritet të jetë funksional në qershor të vitit 2022.

Serbia është krejtësisht e varur nga gazi rus dhe së fundi presidenti Aleksandar Vuçiq, zyrtarisht përuroi një linjë të re të gazit rus që kalon përmes Turqisë dhe Bullgarisë e që për qëllim ka “sjelljen e më shumë gaz rus në Ballkan”. Këtë, Serbia e bëri në kundërshtim me rekomandimin amerikan që të ulë varësinë nga gazi rus.

Video nga Paradoks

"E di përdorimin e shpatave": Jo veç Tai Chi e Përparim Ramës, Ramush Haradinaj flet për arte të tjera marciale që ai i di - "Yoseikan Budo, Viet Vo Dao"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci