Të fundit

Konfiskohen dy Audi A5 që u blenë me paratë e Thesarit, reagon pronari

Me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë janë konfiskuar dy vetura Audi A5, të blera me paratë e rrjedhura nga vjedhja e Thesarit të Shtetit më 9 tetor të vitit të kaluar, ka thënë të martën Blerim Gashi, pronari i veturave.

Në biznesin të cilën ai e drejton bashkë me familjarët e tij, “Gashi Komerc” Sh.P.K., Blerim Gashit i ishin transferuar 300 mijë euro nga kompania “LDA Group”, e cila paraprakisht kishte pranuar transaksionin direkt të 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Tri ditë pas avullimit të mjeteve të Thesarit, përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, Gashi kishte njoftuar në rrjetet sociale për blerjen e dy veturave të reja të tipit Audi A5. Ishin paguar me mjetet që kishte pranuar nga “LDA Group”.

Veturat janë konfiskuar me vendim të gjykatës gjatë procesit hetimor, tregoi Blerim Gashi të martën në një bisedë me mediumin Paparaci.com – një vit pas ngjarjes që tronditi institucionet e shtetit.

Ai thotë se 300 mijë eurot që ishin derdhur nga xhirollogaritë e kompanisë “LDA Group” të Kadri Shalës, të akuzuar për shpërlarje parash në rastin e vjedhjes së kryer në Thesar, ishin pjesë e një obligimi financiar që “LDA Group” kishte ndaj firmës së tij.

“Na janë konfiskuar dy vetura padrejtësisht, sepse ne nuk kemi vjedhur asgjë. Neve na kanë pasur borxh paratë kompania LDA Group dhe s’kemi lidhje asgjë me paratë e Thesarit”, ka deklaruar Gashi për Paparaci.com.

Tash, pronari i kompanisë “Gashi Komerc” Sh.p.k. është vënë në ndjekje të veturave që i kishte përvetësuar me “paratë e borxhit” që i ishin transferuar nga biznesi i Kadri Shalës.

“Kemi parashtruar ankesë në gjykatë për t’i rikthyer veturat dhe jemi në pritje”, tha Blerim Gashi të martën.

Ai, ka bërë të ditur se kompanisë i janë bllokuar xhirollogaritë prej gati një viti.

Organi i akuzës bëri të ditur se përpos konfiskimit të dy veturave Audi A5, ka kërkuar nga gjykata konfiskimin e katër veturave tjera.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër veturave të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar Buxhetit të Republikës së Kosovës”, njoftoi sot Prokuroria.

“Ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Prokuroria të martën.

Procesimin e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit në xhirollogaritë e “LDA Group” akuzohet se e kishte kryer jashtëligjshëm Labinot Gruda, një ish-punëtor i Thesarit të Shtetit.

Një vit më vonë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Grudës dhe bashkëpunëtorit të tij, Kadri Shalës. Por, aktiviteti i dyshuar kriminal i tyre ka prekur edhe rrjetin në të cilin ishin shpërndarë paratë e Thesarit. Prokuroria pati deklaruar se janë ngrirë 34 llogari bankare të bizneseve në të cilat ishin transferuar paratë.

Më 23 tetor, 2020, Labinot Gruda u deklarua i pafajshëm në gjykatë. Ai tha se ndihet plotësisht i pafajshëm dhe se pretendimet për këtë shumë parash “nuk kanë të bëjnë aspak” me të.

Më 25 shkurt Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se deri në atë kohë ka ngrirë rreth 600 mijë euro që lidhen me vjedhjen e rreth 2.1 milionë eurove nga Thesari i Kosovës.

Në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, sipas Prokurorisë Speciale janë bërë dy kërkesa adresuar autoriteteve të Turqisë, lidhur me transferin prej 440.000 eurove, të realizuara nga llogaria e “LDA Group Sh.p,k”./Paparaci.com

Video nga Paradoks

“S’ka vend ma t’fortë se Bellaqefci”: Valon Syla imiton e flet për turqit – “Si mongol, si Samurai”, këndon Poçarin e Ilir Shaqirit e tregon rastin komik me shqiptarët në Turqi.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci