Al-Nassr njoftoi mbrëmë nënshkrimin e Cristiano Ronaldos dhe arriti në qendër të botës sportive në fund të vitit 2022.
Shumë njerëz nuk kishin dëgjuar as për një nga skuadrat më të mëdha saudite deri mbrëmë, dhe brenda natës klubi nga Riadi fitoi miliona tifozë të rinj, gjë që shihet qartë nga numri i ndjekësve në Instagram.
Para shpalljes së transferimit të Ronaldos, 1.1 milionë njerëz e ndiqnin Al-Nassr në Instagram dhe në vetëm 12 orë ky numër u trefishua.

Numri i ndjekësve të Al-Nassr është vazhdimisht në rritje, dhe në kohën e shkrimit, klubi saudit ndiqet nga 3.5 milionë njerëz.
Duke marrë parasysh trendin, pritet që së shpejti Al-Nassr të ndiqet nga më shumë se 5 milionë njerëz në këtë rrjet social.

Ronaldo është karremi i marketingut, ndaj nuk është çudi që drejtuesit e Al-Nassr nuk kursyen para për ta sjellë atë.
Portugezi do të arkëtojë deri në 500 milionë euro në dy vite e gjysmë te Al-Nassr, që është kontrata më e madhe në historinë e futbollit.
