Të fundit

Hulumtimi i Paparacit zbulon lidhjet e zyrtarëve të lartë të Kosovës me mafinë energjetike të Ballkanit

Një hulumtim i gjerë i Paparacit, zbulon se i mbrojturi i kryeministrit Kurti, është i lidhur fort me një kompani të energjisë me seli në Beograd. Krejt pagesat i ka marrë nga Beogradi, kryeqyteti i Serbisë, shtet ky që me çdo kusht synon zhbërjen e Kosovës. Dyshimin edhe më të fortë e bën edhe implikimi i drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi në udhëtime me tregtarë të energjisë dhe takimet me Berishajn në Zagreb.

Vehbi Kajtazi & Eros Klaiqi

Kushdo që merr vesh pak nga biznesi i ligjshëm, nuk do të vepronte si Martin Berishaj. Veç nëse do të ushtronte veprimtari biznesore të paligjshme.

Logjika e të bërit biznes nuk thotë se nëse ke pranuar mbi 1 milion e gjysmë euro në llogari bankare, i tërheq ato para të thata me arsyetimin “për nevoja të biznesit”.

Ky është një nga elementet që ambasadorin e Kosovës, në Kroaci e bën të dyshuar për lidhje të fuqishme me mafinë energjetike të Serbisë. Dyshimin edhe më të fortë e bën edhe implikimi i drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi në udhëtime me tregtar të energjisë dhe takimet me Berishajn në Zagreb.

Një hulumtim i gjerë i Paparacit, zbulon se i mbrojturi i kryeministrit Kurti, është i lidhur fort me një kompani të energjisë me seli në Beograd. Krejt pagesat i ka marrë nga Beogradi, kryeqyteti i Serbisë, shtet ky që me çdo kush synon zhbërjen e Kosovës.

Berisha po hetohet në Kosovë për tri vepra penale: shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe fshehje të pasurisë. Megjithëkëtë, vazhdon ta përfaqësojë Kosovën në Kroaci nën mbrojtjen e kryeministrit dhe presidentes.

Ai, përmes kompanisë “MB Consulting”, ka zhvilluar transaksione të dyshimta milionëshe në Kosovë dhe Mal të Zi.

Kompania “MB Consulting” në Kosovë dhe filiali i saj “MB Consulting Doo” në Mal të Zi, kanë zhvilluar transaksione në vlera disa milionëshe në shtatë vitet e fundit.

Në Kosovë, kompania e ambasadorit të Kosovës në Kroaci ka regjistruar transfere në vlerë prej 1 milion e gjysmë me kompaninë “GEN Doo” në Beograd.

Të gjitha të dhënat për këto transaksione i posedon Paparaci.

Rreth 900 mijë euro që kompania e tij “MB Consulting” i kishte shënuar si të hyra nga “GEN doo” në Beograd, Martin Berishaj i kishte tërhequr personalisht përmes xhirollogarisë së tij bankare mes viteve 2016-2021.

Paparaci, ka siguruar hetimin e Qendrës së Inteligjencës Financiare të Malit të Zi. Raporti zbulon se afaristi Martin Berishaj nëpërmjet kompanisë së tij, “MB Consulting”, me filial në Mal të Zi ka bërë transaksione të dyshimta me elemente të shumta të shpëlarjes së parave.

Veprimtaria e biznesit “MB Consulting” të ambasadorit Martin Berishaj, është kryer duke iu shmangur tatimeve në Kosovë për pesë vite me radhë.

Bazuar në gjetjet e Paparacit, kompania “MB Consulting” i është shmangur obligimeve tatimore nga viti 2017 deri në vitin 2022 dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë prej 73 mijë eurove.

Provat që ka siguruar Paparaci, brenda Administratës Tatimore të Kosovës, tregojnë se hetuesit tatimorë kanë konstatuar se kompania e ambasadorit Berishaj ka vetë deklaruar obligime tatimore të papaguara në vlerë prej 73.701 euro.

Ai, nuk figuron drejtor dhe aksionar i kompanisë “MB Consulting” në Kosovë që nga 18 janari i vitit 2022.

Pronësia e kompanisë i ka kaluar Nahit Haxhiveselit, një miku të vjetër të tij me të cilin ishin njohur në Kroaci dhe Slloveni katër dekada më parë.

Transaksionet me “GEN-i doo” në Beograd

Nga shkurti i muajit 2015 deri në prill të vitit 2022, kompania “MB Consulting” në Kosovë kishte pranuar pagesa në vlerë 1,531,480 euro nga “GEN-i doo” në Serbi.

Sipas dëshmive që posedon Paparaci, pothuajse të gjitha të hyrat e kompanisë së Martin Berishajt ishin tërhequr në formë “cash” disa ditë pas realizimit të së ardhurave në kompani.

Tërheqjet ishin realizuar nga Martin Berishaj, në cilësinë e pronarit të “MB Consulting”, deri në gusht të vitit 2021 dhe pastaj nga Nahit Haxhiveseli nga gushti 2021 deri në prill 2022.

Sipas raportit të Njësisë së Inteligjencës Financiare, të cilën e ka siguruar Paparaci, Martin Berishaj ka tërhequr shumën prej 923,700.00 euro me përshkrimin “tërheqje për nevoja të biznesit Martin Berishaj”.

Ndërkaq, ortaku i tij, Nahit Haxhiveseli ka tërhequr edhe 256,928.00 euro nga xhirollogaria e kompanisë “MB Consulting” për gjashtë muajt e fundit (nga gushti 2021 deri në prill 2022).

 

Qarkullimi mbi dy milionësh i Martin Berishajt në Mal të Zi

Derisa ka shërbyer si Ambasador i Kosovës në Kroaci, pozitë të cilën e ushtron ende, Martin Berishaj kishte vazhduar të merrej me biznes në fushën e energjisë.

Ai, kishte vazhduar të merrej me afarizëm edhe në Mal të Zi përmes filialit të kompanisë “MB Consulting” në Podgoricë. Brenda tri vitesh, Berishaj ka realizuar qarkullim milionësh në xhirollogaritë e tij dhe të biznesit të tij në Mal të Zi.

Në bazë të të gjeturave të Paparacit, nga janari i vitit 2019 deri në nëntor të vitit 2022, në llogaritë e MB Consulting në Mal të Zi dhe llogaritë personale të tij, janë regjistruar 2,837,921.8 euro të hyra. 2,787,298 euro ishin tërhequr nga këto xhirollogari përgjatë kësaj periudhe, bazuar në të dhënat e siguruara nga Njësia për Inteligjencë Financiare e shtetit të Malit të Zi

Sipas një raporti të hetuesisë së Policisë së Kosovës, policia është në pritje të një përgjigje tjetër nga shteti i Malit të Zi rreth dyshimeve për shmangie tatimore dhe shpërlaje të parave nga Ambasadori Martin Berishaj në shtetin e Malit të Zi.

Hetimet implikojnë Kryeshefin e KEK-ut në një rast të dyshuar korruptiv

Hetimet e Policisë së Kosovës ndaj ambasadorit Martin Berishaj kanë përfshirë edhe Kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqin.

Në një raport të Hetuesisë së Policisë së Kosovës në hetimet ndaj ambasadorit Berishaj, hidhen dyshime për përfshirjen e Nagip Krasniqit në një rast korruptiv.

Krasniqi, i emëruar në krye të menaxhmentit të KEK-ut me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, në fund të vitit 2021 dhe në fillim të vitit 2022 ka nënshkruar dy marrëveshje, të cilat dyshohet t’i kenë shkaktuar dëme buxhetit të shtetit.

Paparaci, ka siguruar raportin e Drejtorisë së Hetimeve të Policisë së Kosovës. Aty ngrihen dyshime se Nagip Krasniqi, në cilësinë e Kryeshefit të KEK-ut, kishte shkelur një marrëveshje të lidhur me Ministrinë e Ekonomisë që kishte për qëllim mbështetjen financiare në tejkalimin e krizës energjetike.

“Marrëveshja e Monitorimit dhe Kontrollit e nënshkruar me datë 22.12.2021 në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe KEK Sha ka për qëllim mbështetjen financiare në tejkalimin e energjisë në vend duke u mbështetur në vendimin e Qeverisë së Kosovës Nr.02/49 të datës 17.12.2022.

Sipas kësaj marrëveshje (neni 2 pika 5) KEK-u do të organizojë tregtimin e importit të energjisë elektrike për nevojat e FSHU (Furnizuesit e Shërbimit Universal), pas konfirmimit të nominimeve nga ana e KOSTT Sha, deri në shfrytëzimin e mjeteve nga subvencioni”, thuhet në raport, derisa përshkruhet marrëveshja e parë e lidhur mes KEK-ut dhe Ministrisë së Ekonomisë.

Pasi kishte nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Ekonomisë më 22 dhjetor 2021, sipas të cilës KEK-u obligohej që organizonte tregtimin e importit të energjisë elektrike për nevojat e Furnizuesit për

Shërbim Universal (KESCO), Nagip Krasniqi kishte shpërfillur marrëveshjen me ME-në dhe kishte lidhur një marrëveshje të dyshimtë me KESCO-n rreth tri javë më vonë. Më 11 janar, 2022.

Në marrëveshjen e dytë, të nënshkruar me KESCO-n, KEK-u do t’ia delegonte kompanisë private turke, KESCO, kompetencat për tregtimin e energjisë elektrike për nevoja të konsumatorëve kosovarë.

“Me datë 11.01.2022 KEK Sha nënshkruan përsëri marrëveshje me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energii Elektrike KESCO Sha për shitblerjen e energjisë elektrike nga Importi duke u mbështetur në rekomandimet e Komitetit Teknik Emergjent te formuar në përputhje me UA Nr.04/2017 mbi rregullat dhe masat kufizuese të furnizimit me energji në situata emergjente”, thuhet në raport.

“Kryeshefi ekzekutiv i KEK sha Nagip Krasniqi ka lidhur marrëveshje të dëmshme me KESCO sha, e cila konsiderojmë se është në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në raportin e hetuesisë.

Nagip Krasniqi, me veturë zyrtare në Kroaci bashkë me tregtarin e energjisë

Në mars të vitit të kaluar, Nagip Krasniqi kishte realizuar një vizitë në Kroaci,ku prej gjashtë muajsh

Martin Berishaj po shërbente si Ambasador i ri i Kosovës. Hetuesit policorë dyshojnë se Kryeshefi i KEK- ut ishte takuar atje me Berishajn.

Hetuesit kanë gjetur se Nagip Krasniqi, në shoqërinë e Zek Aliajt, një tregtari të energjisë elektrike në Kroaci, kishin qëndruar në një vizitë në Zagreb në muajin mars të vitit 2022.

Sipas raportit të policisë, bazuar në të dhënat e Departamentit të Kufirit, kryeshefi i KEK-ut dhe biznesmeni Zek Alija kishin kaluar kufirin Maqedoni e Veriut – Kosovë me veturën zyrtare të KEK-ut më 20 mars 2022.

“Gjatë analizimit të të dhënave të pranuara kemi vërtetuar se të njëjtit kanë kaluar kufirin me datë 20.03.2022 me veturën zyrtare të KEK-ut me targa 01-583-NG”, thuhet në raport.

Lidhur me këtë çështje, Krasniqi është intervistuar nga hetuesit policorë në shtator të vitit 2022, ka zbuluar Paparaci.

Para hetuesve policorë, Krasniqi ka mohuar të jetë takuar me Ambasadorin Martin Berishaj gjatë vizitës së tij në Kroaci.

Ka thënë se atje kishte udhëtuar në një vizitë zyrtare. Ka thënë se ka realizuar një vizitë në kompaninë HEP në Kroaci. Në këtë kompani, ai ka thënë se punon Zek Alija, biznesmeni me të cilin kishte udhëtuar për në Zagreb.

Në nëntor të 2022-të, ambasadori Martin Berishaj kishte raportuar për herë të parë para deputetëve të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.

Ai kishte thënë se nuk ka asnjë lidhje me GEN-in në Beograd dhe se nuk ka pranuar para prej tyre, kurse për kompaninë e tij “MB Consulting” tha se është firmë që e ka formuar në vitin 2017 dhe se e njëjta nuk funksionon nga viti 2020.

(Vijon)

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci