Të fundit

Të bëmat e “Currit” dhe grupit të tij – akuzohen se përfituan mbi 1.5 milion euro nga fajdetë

350,000.00 euro të marra hua nga grupi i Ismet Osmani – “Currit”, një biznesmeni misterioz nga Mitrovica, e çuan drejt falimentimit Faton Dalladakun. Afaristi nga Prishtina i kishte marrë fajde grupit të “Currit”. Ata i aplikuan Dalladakut një kamatë mujore prej 7% të fajdesë. Paparaci sjell aktakuzën e plotë kundër Ismet Osmanit dhe të tjerëve, të cilët dyshohet se përfituan miliona euro nga fajdetë.

Një shtëpi banimi në vlerë 250 mijë euro, dy parcela toke e në vlerë mbi 1.5 milion euro dhe 50 mijë euro kesh, janë pikat kyçe të rrëfimit për një ngjarje të rëndë mashtrimi. Një storje që implikon njerëz të mistershëm të botës së biznesit në fajde, kërcënime e detyrime.

Biznesmeni i mistershëm nga Mitrovica, Ismet Osmani – “Curri” dhe njerëzit e tij dyshohet se përfituan jashtëligjshëm pasuri të paluajtshme dhe para kesh në këmbim të një borxhi me fajde, raporton Paparaci.

Viktimë e grupit të “Currit” ishte Faton Dalladaku, një biznesmen tashmë në prag të falimentimit nga Prishtina, që kishte marrë fajde në vlerë 350,000.00 euro nga anëtarit e pretenduar të grupit të “Currit”. Ishte detyruar t’i kthente mbi një milion euro.

Ngjarja ka ndodhur mes viteve 2012-2017.

Mbi këtë histori të dyshuar kriminale me kërcënime e mashtrime, Prokuroria e Shtetit ngriti aktakuzë kundër Ismet Osmanit dhe katër të tjerëve. Prokurori i rastit, Armend Hamiti, akuzon edhe Ilir Bojkun, Sami Nikën e Mentor Maqanin, të afërm të “Currit” për veprat penale të fajdesë dhe detyrimit.

Pjesë e aktakuzës është edhe Adil Thaqi, një sipërmarrës nga Malisheva. Ai akuzohet për veprën penale të mashtrimit.

Paparakisht, Curri dhe të tjerët kishin rënë nën prangat e Policisë së Kosovës nën dyshimin për kryerjen e këtyre veprave penale më 20 maj, 2019. Ishin mbajtur në paraburgim për pesë muaj, kur me vendim të gjykatës ishin liruar në arrest shtëpiak.

Paparaci, sjell aktakuzën e plotë me veprat penale që rëndojnë ndaj biznesmenit nga Mitrovica dhe grupit të tij.

Në përshkrimin e aktakuzës, të ushtruar pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë më 19 nëntor, Prokuroria akuzon “Currin” për veprën penale të fajdesë, në bashkëkryerje me Sami Nikën dhe Ilir Bojkun. Të dy nga Mitrovica. Curri ka mohuar afërsinë me Nikën, në dëshminë e tij para prokurorit. Ka pranuar miqësinë me Bojkun.

Sami Nika, në qershor të 2012-s i kishte dhënë fajde në vlerë 350,000.00 mijë euro Faton Dalladakut, që sipas aktakuzës, ndodhej “në gjendje të rëndë financiare”. Mbi këtë akt, kishin lidhur një kontratë mbi shitblerjen e shtëpisë së banimit në pronësi të viktimës, me lokacion në qytezën Pejton të kryeqytetit.

Nika, kishte aplikuar kamatë prej 7 për qind të interesit ndaj Dalladakut. Pas dy muajve, ia kishte marrë viktimës 50 mijë euro kesh.

“I pandehuri Sami Nika e evidenton në kadastër si pronë të tij dhe duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Faton Dalladaku, me rastin e dhënies së parave e ngarkon duke kontraktuar një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër ashtu që me kamatë mujore 7% e cila gjatë dy muajve në vijim i pandehuri Sami Nika, nga i dëmtuari Dalladaku, merr kamatën në vlerë 50 mijë euro”, thuhet në aktakuzë.

Prokurori i Shtetit implikon “Currin” për herë të parë në fajde, me rastin e përfitimit përmes fajdeve të një prone tri hektarëshe në magjistalen Prishtinë-Ferizaj. Në bashkëkryerje me Sami Nikën dhe Ilir Bojkun – të njohur me nofkën “Gorilla”, Ismet Osmani akuzohet se e kishte ngarkuar Dalladakun me një borxh të ri.


Ilir Bojku, i akuzuar për veprat penale fajde, mashtrim dhe detyrim

“Curri” dhe dy njerëzit e tij, siç përshkruhet në aktakuzë, blenë tokën tri hektarëshe nga Sahit Paqarizi, një person tjetër, në vlerë prej 600 mijë euro. I paguajnë vetëm 250 mijë euro pronarit të tokës. Pjesën tjetër të borxhit, 350 mijë euro, ia ngarkojnë Dalladakut.

“Kësisoj, ai [Sahit Paqarizi, v.j] e bëri bartjen e pronësisë së tokës, ndërsa për të njëjtën shumë (600,000.00 euro), 250 mijë, plus 350 mijë euro, e ngarkojnë të dëmtuarin Faton Dalladaku si borxh të ri por gjithnjë në bashkëpunim edhe më tej të pandehurit e mbajnë në posedim shtëpinë e Fatonit sipas kontratës me Saminë”, thuhet në aktakuzë.

Në dëshminë dhënë hetuesve policorë më 18 tetor, 2018, “Curri” mohon përfshirjen e tij të plotë në fajde kundër Dalladakut. Mohon pjesëmarrjen në marrëveshjen e lidhur mes Nikës dhe Dalladakut më 2012.

“Nuk kam qenë pjesë e marrëveshjes lidhur me shitblerjen e pronave të lartcekura”, i tha Ismet Osmani, hetuesve policorë.

Por, ndryshe pretendon organi i akuzës.

Prokuroria, akuzon “Currin” për kërcënimin e Dalladakut. Në fillim të vitit 2014, Osmani akuzohet se bashkë me Nikën dhe Bojkun e kanosin viktimën me qëllim “për të detyruar Dalladakun të kryejë veprim në dëm të pasurisë së tij”.

“Fillimisht kanë shkuar në lagjen Pejton ku është prona e cila ishte objekt i shitblerjes ndërmjet Sami Nikës dhe Faton Dalladakut dhe kanë hyrë në shtëpi, me ç’rast me veprime kërcënuese dhe me tone të ashpra kanë komunikuar me dëshmitarët Muharrem Hajdaraj dhe Gazmend Qelaj, punëtorë në firmën ‘Deisgn Factory’, e cila kishte zyrat aty”, pretendon Prokuroria.

Prokuroria, duke u mbështetur në provat e siguruara, vlerëson se “Curri” ia kishte marrë dhunshëm çelësat e shtëpisë, Dalldakut. E kishte kontrolluar zyrën e Dalladakut, i cili për këtë rast ka deklaruar para prokurorit se ka qenë i “frikësuar për jetë”.

Në këtë gjendje emocionale, Dalladaku kishte ndalur dritën e zyrës së tij dhe ishte fshehur në tualet.

“Pastaj, të pandehurit tentuan që me forcë të merrnin çelësin e shtëpisë nga Muharremi, punëtori i firmës së Dalladakut. Fillimisht refuzoi t’ua japë, por pas këmbëngulësisë dhe ashpërsisë së sjelljes së tyre, u detyrua t’ua japë”, përshkruhet në aktakuzë.

Disa muaj më vonë, grupi i “Currit” e ngarkon afaristin nga Prishtina me fajde në vlerë mbi gjysmë milioni euro, raporton Paparaci.

“Curri” dhe dy njerëzit e tij, e detyrojnë Faton Dalladakun të ua japë një pronë në sipërfaqe tre hektarëshe në lokacionin afër QMI-së në Prishtinë.

“Vlera e të cilës është rreth 900,000.00 euro por për borxhin e arritur i llogaritet vetëm 700,000.00 euro”, thotë aktakuza. Por, të akuzuarit nuk ia kthejnë shtëpinë të dëmtuarit.

Sami Nika, vazhdon që ta mbajë atë edhe me tutje në emrin e tij. Në vitin 2017, sipas një marrëveshjeje, shtëpinë ia shtet Adil Thaqi, një afaristi nga Malisheva, për 260,000.00 euro. Thaqi, është i akuzuari i pestë i Prokurorisë. Ai ngarkohet me veprën penale të mashtrimit.

Në muajin shtator të vitit 2015, i akuzuari Mentor Maqani i prezantohet Dalladakut. Ia propozon një marrëvehshje. Blerjen e një prone 5 hektarëshe afër QMI-së, në të cilën Dalladaku kishte një leje ndërtimi për spital në të cilën veçse kishte ndërtuar një plus tri kate, me investim rreth një milion euro.


Mentor Maqani, i akuzuar për fajde dhe mashtrim

I akuzuari Maqani i propozon Dalladakut blerjen e pronës në vlerë prej 700 mijë eurove. 450,000.00 ia llogaritë blerjen e borxhit të pretenduar prej 450,000.00 të Dalladakut për grupin e “Currit”.

Ndërkaq, mbetjen prej 250,000.00 euro t’ia paguante Dalladakut përmes 100,000.00 eurove kesh dhe dy veturave në vlerë prej 150,000.00 euro.

“Mentor Maqani tha: ‘Nëse don me ma shitë, unë t’i jap 700,000.00 euro, nëse don ti ato 450,000.00 euro pranoje obligimin ndaj Ismet Osmanit, unë ti jap dy makina, një BMW X6 në vlerë 100,000.00 euro dhe një tjetër Mercedes ML duke llogaritur vlerë 50,000.00 euro. Gjithashtu pjesën tjetër prej 100,000.00 euro t’i paguaj me para të gatshme”, ka thënë Dalladaku në dëshminë para prokurorit më 7 shtator, 2019.

Ngjarja implikon Lulzim Goxhufin, një epror të lartë të policisë në Graçanicë. Dalladaku thotë se Goxhufi, i afërt me ‘Currin’, e kishte ftuar në një takim në një kafiteri në Lagjen Marigona.

Pjesëmarrës ishin Ismet Osmani, Lulzim Goxhufi dhe “një person të cilin nuk e kisha parë kurrë më parë”, sipas dëshmisë së Dalladakut në Prokurorinë e Shtetit.

Por, në muajin mars 2016, Maqani njëanshëm ia ndërprenë marrëveshjen verbale dhe ia merr dy veturat Dalladakut. Kësisoj, Prokuroria e akuzon Maqanin për veprën penale të mashtrimit.

“Shfrytëzimin e tyre për një periudhë kohore, ia llogariti në vlerë 80,000.00 euro. Dhe, duke përdorur kanosjen serioze kërkoi mbetjen prej 582.000,00 euro prej Dalladakut, duke e detyruar të njëjtin të kryejë veprim në dëm të pasurisë së tij. Të pranoj imponimin se ka obligim ndaj Maqanit”, thuhet në aktakuzë.

I akuzuari i pestë, Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale të mashtrimit.

Sipas aktakuzës, më 30 maj, 2017, bëhet një marrëveshje lidhur me shtëpinë në Pejton për të cilën Adil Thaqi ia pagoi Sami Nikës 260,000.00 euro, me kusht që nëse Dalladaku nuk arrin të paguajë këtë borxh, “atëherë ai merret vesh me Sami Nikën dhe Adil Thaqin që shtëpia e tij në Pejton t’i shitet Adil Thaqit”.

Prokuroria pretendon se Thaqi kishte ndërmjetësuar në rastin e lidhjes së kontratës për shtëpinë përmes paraqitjes së rreme të fakteve “me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore”.

Një raport i vitit 2005, i përpiluar nga shërbimi sekret gjerman BND, e identifikoi e kishte identifikuar Ismet Osmanin – “Currin” si një kontrabandues droge, cigaresh dhe vaji, Rrjeti Investigativ që raporton kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Në atë raport Osmani ishte cilësuar si person “i rrezikshëm”. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"Pasul e mantia": Deputetja e PDK-së flet për jetën bashkëshortore, tregon 'sekretin' e një martese të lumtur

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci