Asnjë nga dronët Bayraktar TB-2 nuk do të mund të ngrihet mbi qiellin e Kosovës, pa lejen e KFOR-it. FSK-ja ka hasur në vështirësi edhe për testimin e tyre. Shumica e dronëve kanë mbetur në magazinë. Vetëm një është testuar.
Vetëm njëri nga disa dronët Bayraktar TB-2 të cilët Kosova i bleu nga Turqia është lejuar të testohet mbi qiellin e Kosovës.
KFOR-i, i cili ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, ka refuzuar dy kërkesa të njëpasnjëshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës të Sigurisë së Kosovës (FSK) për testimin e dronëve në muajin qershor.
Testimin ishte paraparë ta realizonin dy teknikë ushtarakë turq, pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Turqisë.
Refuzimi ka ndodhur më 11 qershor dhe 13 qershor të 2023-s, raporton Paparaci bazuar në burime brenda Ministrisë së Mbrojtjes.
Arsyeja e refuzimit, siç merr vesh mediumi, ishte se teknikët nga Turqia nuk e kishin prezantuar planin e detajuar të aktivitetit te komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Ristuccia.
Megjithatë, tri ditë pas refuzimit të dytë, më 16 qershor, KFOR-i aprovoi kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për testimin e vetëm një droni Bayraktar TB-2. Dronët e tjerë kanë mbetur në magazinë. Të patestuar.
Autorizimi i lëshuar nga KFOR-i parashihte kushtin që droni Bayraktar TB-2 të ngrihej deri në 500 metra lartësi dhe mos t’i kalojë kufijtë e bazës së FSK-së në Gjakovë, e cila njihet edhe si bazë ajrore.
Katër ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se vendi ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.
Me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, tha ai dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve.
Se sa dronë janë blerë, nuk është e qartë. Por, KFOR-i ka thënë të dielën se hapësira e poshtme ajrore e Kosovës “mund të përdoret për nevoja specifike” dhe me “autorizim të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it”.
Ekskluzive: KFOR-i nuk ia lejon Kosovës përdorimin e dronëve
Hapësira e poshtme ajrore nënkupton lartësinë deri në 6.250 metra. Dronët Bayraktar TB-2 fluturojnë kryesisht në lartësi deri në 5.000 metra.
Bayraktar (Flamurtar) është një dron relativisht i lirë, që për herë të parë ka fluturuar më 2014. Tashmë, ata po ia vështirësojnë jetën presidentit rus, Vladimir Putin, i cili nga shkurti i vitit të kaluar ka nisur luftën në Ukrainë.
Dronët e tillë, të llojit TB-2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.
Pavarësisht se çmimi i një Bayraktari TB-2 nuk është bërë publik, më herët gjatë këtij viti ishte organizuar mbledhja e fondeve për të blerë dronë të tillë për Ukrainën dhe organizatorët e mbledhjes së këtyre fondeve kishin sugjeruar se 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një dron.
Kurti konfirmon blerjen e dronëve Bayraktar nga Turqia: Kosova krenare
