“…emri i kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë që është i domosdoshëm në realitetin e njerëzve, jo vetëm në kutitë e votimit më 14 shkurt 2021, sot është Blerim Isufaj.” Kështu kishte deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para rreth pesë muaj në një fjalë të tij në Kuvendin e Kosovës ku kishte thënë se Blerim Isufaj nuk do të mund të bëhet Kryeprokuror.
Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës teksa fliste për arrestimin e Kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi kishte sulmuar ashpër me emër e mbiemër prokurorin Blerim Isufaj. Ai kishte thënë se kundërshtimi ndaj qeverisjes së Kurtit, lidhet direkt me emrin e Blerim Isufajt.
“Të nderuar deputetë, unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e Shtetit dhe atë sa më lartë aq më shumë ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë dhe jo vetëm ndaj meje si kryeministër dhe por ndaj qeverisjes sonë, dhe jo vetëm ndaj qeverisjes sonë por edhe ndaj pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i vitit 2021, nga zgjedhjet e lira dhe demokratike të cilat e sollën ndryshimin e madh në republikën tonë dhe kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj”, kishte thënë Kurti.
Për më tepër, Kurti kishte thënë se Isufaj nuk ka fituar asnjë rast në gjykatë, por kundër vullnetit të krerëve të shtetit po synon të bëhet Kryeprokuror.
“Bëhet fjalë për një prokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Asanajt, e kategorizoi në vetëvrasje, ndërsa rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të Informimit në kryeministri e shndërroi në vrasje dhe njëkohësisht bëhet fjalë për një prokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë. Dhe pikërisht ky prokuror, dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të Presidentes së Republikës, Kryeparlamentarit të Kosovës dhe kryeministrit të Qeverisë, është siklet i madh dhe mbështetje e madhe për një njeri i cili përkundër tre krerëve shtetërore, përkundër përvojës së hidhur që ka i gjithë vendi me të, dëshiron të bëhet kryeprokuror.”, tha Kurti.
Ai duke kritikuar Prokurorinë Speciale dhe Prokurorinë e Shtetit se nuk po punojnë në zbardhjen, gjykimin dhe dënimin në mungesë të kriminelëve të luftës në Kosovë, edhe njëherë ishte kthyer kah Isufaj.
“Nuk është hera e parë që kemi gëzim në sallë të kuvendit për njerëzit që janë në burg për sistem prokurorial i cili nga viti në vit është gjykuar pikërisht në raporte ndërkombëtare. Le t’i jipet fjala drejtësisë, t’i shohim procedurat normale dhe profesionale, mirëpo, emri i kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë që është i domosdoshëm në realitetin e njerëzve, jo vetëm në kutitë e votimit më 14 shkurt 2021, sot është Blerim Isufaj”, kishte thënë Kurti.
Ai në fund, kishte thënë se Isufaj nuk do të bëhet Kryeprokuror.
“Dhe nuk është e rastësishme që prokurorët që vrasjen ta bëjnë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje përkundër vullnetit dhe qëndrimit të Presidentes, Kryeministrit dhe Kryeparlamentarin duan me çdo kusht, në çfarëdo rrethane me patjetër të bëhen kryeprokuror, por nuk do të munden, nuk do të munden, jo pse jam unë, jo pse jeni ju, por sepse në këtë shtet ka edhe republikë edhe popull”, kishte thënë Kurti.
Gjithashtu, Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është përballur me kërcënime dhe shantazhe për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj. Në një konferencë për media të martën, në të cilën njoftoi se ka refuzuar ta dekretojë Kryeprokurorin e ri të Shtetit, presidentja Osmani tha se është kërcënuar nga njerëz ‘të sistemit të drejtësisë’. Por, rastin nuk e ka lajmëruar në polici.
Ajo ka thënë se ka pasur presion dhe kërcënime të llojit ‘do të të ngrisim aktakuzë’, ‘do të bëjmë dosje’, ‘do të t’i lidhim duart’.
“Ka qenë presion i paligjshëm dhe jokushtetues dhe në kundërshtim me çdo praktikë të mëhershme të komunikimit ndërpresonal. Në anën tjetër, unë mund të them se ka pasur presione nga njerëz që dërgonin mesazhe: ‘do të të ngrisim aktakuzë’, ‘do të bëjmë dosje’, ‘do të t’i lidhim duart’”, tha Osmani.
Ajo e ka cilësuar shqetësuese faktin se zyrtarë të shtetit kërcënohen.
“Është shqetësuese kur zyrtarë të institucioneve tona të drejtësisë mendojnë se mund ta kërcënojnë kreun e shtetit. Në një vend demokratik, këta që mendojnë se mund ta kërcënojnë kreun e shtetit do të dilnin jashtë sistemit”, tha ajo.
Megjithatë, Osmani ka treguar mosbesim ndaj institucioneve të vendit duke thënë se nuk e ka raportuar rastin pasi nuk ka sistem funksional të drejtësisë.
“Kjo është pyetje shumë me vend dhe përsëri kjo do të duhej të ishte procedura në rastet kur funksionon një sistem i drejtësisë, kjo është sikur të thuash, shko deponoje te ata që të kanë kërcënuar. Për këtë çështje do të flas ndoshta më në detaje në një periudhë të mëvonshme sepse insistimi ynë si Presidencë është që fokusi të jetë te vlerësimi i procedurës.”, tha Osmani. /Paparaci.com/