Të fundit

Kurti lavdërohet për buxhetin, opozita e akuzon për “dredhim” të shifrave

Me akuza mes Qeverisë dhe deputetëve opozitarë është përcjellë seanca plenare për shqyrtimin në parim të buxhetit për vitin 2024. Derisa kryeministri Albin Kurti është lavdëruar për rritje të buxhetit në mbrojtje, ekonomi e siguri, opozita e ka quajtur atë demagog dhe e ka akuzuar për “dredhim të shifrave”

Projektbuxheti për vitin 2024 ka përplasur përfaqësuesit e Qeverisë me deputetët opozitarë.

Në seancën e nisur me mbi një orë vonesë, e që vazhdoi gjatë gjithë ditës, është shqyrtuar në parim buxheti për vitin e ardhshëm në vlerë 3.3 miliardë euro, i cili nga kryeministri Albin Kurti është quajtur buxhet i zhvillimit, mbrojtjes dhe sigurisë.

Ai është lavdëruar edhe për punën trevjeçare si kryeministër.

“Në qeverisjen tonë janë dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja. Eksportet kanë qenë të pakta, por sidomos deficiti tregtar ka qenë i lartë. E kemi gjetur një me nëntë, ndërsa tash është një me gjashtë. Më tej ekonomisë gjatë kësaj qeverisje ia kemi shtuar mbi 1 miliard për çdo vit. Në vitin 2020 bruto produkti vendor ka qenë 6.77 miliardë euro, ndërsa në vitin e ardhshëm është mbi 10 miliardë euro”, ka thënë Kurti.

Por, sipas opozitës, Kurti për tre vjet nuk ka realizuar asnjë projekt madhor.

“Ka një tendencë, kryeministri dhe ministrat t’i dredhojnë pak shifrat. Por shifrat janë kokë-forta. Nuk mundësh me krahasuar vitin 2023 me 2020. Me thanë kaq ka qenë GDP në vitin 2020, e kaq në vitin 2023. 2020 ka qenë pandemia, krejt vendet kanë ra në minus 30, minus 40%. Krahasoje trendin e zakonshëm të viteve 2017, 2018 dhe 2019 dhe shihe si ka mbërrijë GDP”, ka thënë deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

“Ne po e shohim demagogjinë e kryeministrit Kurti që edhe këtu del dhe i mbron me kokëfortësi. Është për fat të keq që kemi një demagog dhe një hipokrit në krye të detyrës. Ne po shohim çdo ditë se qytetarët po varfërohen”, ka deklaruar deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

Kryeministri nga opozita u akuzua edhe për mosmarrjen e masave për ikjen e të rinjve.

“Nëse vërtet të është bartë buxheti nga viti në vit, shtine një pako për të rinjtë e Kosovës që të mos e lëshojnë Kosovën më 1 janar, gjeje një mënyrë, gjeje një formulë, vepro”, ka thënë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Unë nuk mendoj që po zbrazet Kosova, ka emigirim, por nuk ka zbrazje të Kosovës dhe nuk do të ketë as pas 1 janarit, sepse ju e dini shumë mirë që ata që do të shkojnë tani pa nevojë për vizë në zonën Schengen, duhet të kthehen”, u përgjigj Kurti.

Përplasje pati edhe mes deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, e që u kthye në rrafshin personal.

“Sa i përket deputetit Hoti i tha disa gjëra, për shembull tha se norma e interesit mund të ndikohet nga qeverisja, kjo është e pasaktë për fat të keq, për fat të keq edhe të kredencialeve akademike që ka”, ka thënë Murati.

“Sa u përket normave të interesit Hoti mundet veç ligjërata me të mbajtë ty. Ai veç një faj e ka, që të ka lanë me punu në Ministri të Financave dhe ke dalë produkt kaq i dobët”, iu përgjigj Bajrami.

Projektbuxheti parasheh që mbi 1 miliard euro të shkojnë për subvencione dhe transfere, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, mbi 800 milionë euro për paga e shtesa dhe afro 500 milionë euro për mallra dhe shërbime.

Mbi 90 për qind e projekteve kapitale janë të bartura nga viti aktual.

Video nga Paradoks

"Kom rrudha, s'kom hundë perfekte": Deputetja e PDK-së tregon a ka ndërhyrje estetike, flet edhe për debatet - "Meniher ta tregoj Arianën e egër"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci