Ka përfunduar projekti i unazës së qytetit dhe është caktuar traseja e rrugës 23-kilometërshe.
Kështu tha të mërkurën Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve Kapitale në Prishtinë.
Xhaferi tha se projekti ka përfunduar dhe momentalisht ndodhet në Ministrinë e Financave, nga e cila pret miratim për marrjen e një kredie për investim.
Ai ka thënë se unaza do të jetë e gjatë 23 kilometra dhe do të kalojë nëpër disa zona të Prishtinës.
“Diku në Shkabaj lidhet me pjesën e autostradës. Prej Shkabajt shfrytëzohet pjesa deri te kyçja në autostradën e Veternikut, dhe komplet kjo pjesa tjetër është segment i ri. Lidhet në drejtim të Hajvalisë, në drejtim të Zllatarit dhe në Zlltar do të ketë kyçje të veçantë në Rrugën A. Nga Zllatari vazhdon në Parkun e Gërmisë, në Kolovicë dhe nga Kolovica vazhdon në Kodrën e Trimave. Nga aty lidhet sërish në Shkabaj”, ka thënë Xhaferi.
“Ky projekt parashihet të kushtojë 250 milionë euro”, ka deklaruar ai.