Të fundit

Donald Trump në gjyqin e parë penal ndaj një ish Presidenti

Të hënën filloi gjyqi historik penal ndaj ish-Presidentit Donald Trump, nën akuzat për falsifikim e të dhënave të biznesit me qëllimin për të fshehur pagesat në këmbim të heshtjes së aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, mbi një lidhje të dyshuar jashtëmartesore me të.

Gjyqi filloi me procesin e vështirë të përzgjedhjes së jurisë.

Të hënën nuk zgjodh asnjë anëtar dhe përzgjedhja pritet të rifillojë të martën.

Zoti Trump është ish-Presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale dhe nëse dënohet, rrezikon të vuajë dënim me burg.

Gjyqi zhvillohet në një kohë që Donald Trump garon për të rimarrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Ish Presidenti është i detyruar të jetë i pranishëm gjatë seancave gjyqësore, përveç në rastet kur kërkon përjashtim, çka do të thotë se do të jetë në rolin e të pandehurit ndërsa në të njëjtën kohë bën fushatë për zgjedhjet presidenciale.

Ai i ka ndërthurur këto role përgjatë vitit të fundit duke u shfaqur para përkrahësve, në fushatë apo në mediat sociale si objektiv i hetimeve të motivuara politikisht me qëllim pengimin e kandidimiit të tij.

“Është një mashtrim. Është një gjueti shtrigash për qëllime politike. Vazhdon dhe vazhdon”, tha zoti Trump pasi la sallën e gjyqit ndërsa u ul në bankën e të pandehurve së bashku me avokatët e tij.

Zoti Trump akuzohet për fshehjen e një pagese prej 130,000 dollarësh bërë yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels, pak përpara zgjedhjeve të 2016-ës, me synimin për të siguruar heshtjen e saj lidhur me pretendimet e kësaj të fundit, për një marrëdhënie jashtëmartesore.

Prokurorët kanë përmendur gjithashtu edhe rastin e ish-modeles së revistës “Playboy”, Karen McDougal, e cila pretendon se ka pas një lidhje 10-mujore me zotin Trump në mesin e viteve 2000. Zonja McDougal është paguar me 150,000 dollarë nga kompania mëmë e tabloidit “National Enquirer”, për të siguruar eksluzivitetin në publikimin e kësaj historie, e cila gjithsesi nuk u publikua kurrë, sipas dyshimeve, me kërkesë të zotit Trump.

Ish Presidenti i ka mohuar marrëdhëniet me të dyja gratë si dhe të 34 akuzat me të cilat përballet në çështjen e Nju Jorkut, përfshirë atë se udhëzoi ish-avokatin e tij Michael Cohen, që të paguante zonjën Daniels e më pas e rimbursoi atë gjatë vitit të parë të presidencës së tij në vitin 2017. Paratë u regjistruan si rrogë mujore e shpenzime ligjore për zotin Cohen.

Secila nga akuzat mbart mundësinë e një dënimi me katër vjet burg. Pritet që zoti Trump të apelojë vendimin nëse do të shpallej fajtor.

Shpallja fajtor nuk e pengon atë të marrë detyrën, por gjysma e votuesve të pavarur dhe një në katër republikanë thonë se nuk do ta votonin nëse shpallej fajtor, sipas një sondazhi të realizuar nga agjencia e lajmeve Reuters dhe kompania e anketimeve Ipsos.

Rasti i Nju Jorkut është një nga katër paditë penale me të cilat përballet ish-presidenti Trump, që përfshijnë 88 akuza, të cilat ai i ka hedhur të gjitha poshtë.

Disa analistë ligjorë e shohin çështjen e parave paguar zonjës Daniels, si një nga ato që do të prodhojë më pak pasoja krahasuar me katër rastet me të cilat ai përballet.

Në dy prej padive të tjera zoti Trump akuzohet për përpjekje të paligjshme për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 që shpallte atë humbës, ndërsa në një tjetër padi ai akuzohet se mbajti në mënyrë të paligjshme me qindra dokumente sekrete në pronën në Florida e më pas refuzoi kërkesat për t’i kthyer ato.

Për të tre këto çështje nuk janë përcaktuar ende data fikse për zhvillimin e procesit gjyqësor dhe zoti Trump ka kërkuar t’i shtyjë ato deri pas zgjedhjeve të nëntorit.

Nëse ai fiton, mund të kërkojë rrëzimin e akuzave federale. Në çdo rast, nëse zoti Trump fiton zgjedhjet, nuk do të gjykohej gjatë kohës së ushtrimit të detyrës së presidentit./voa

Video nga Paradoks

"Pasul e mantia": Deputetja e PDK-së flet për jetën bashkëshortore, tregon 'sekretin' e një martese të lumtur

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci