Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar të hënën një marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, “Makine ve Kimya Endüstrisi”, për themelimin e një fabrike të municioneve në Kosovë.
Lidhjet mes MKE-së dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan janë të thella e kjo dëshmohet përmes dhëndrit të Erdoganit, Selçuk Bayraktar dhe vëllait të tij Haluk Bayraktar (pronarët e kompanisë që prodhon dronët e famshëm Bayraktar), po ashtu edhe drejtuesve të MKE, Ilhami Keles e Alphaslan Kavaklioglu.
Bazuar në të dhënat në faqen zyrtare të kësaj kompanie, drejtor i përgjithshëm i “Makine ve Kimya Endüstrisi” është Ilhami Keles.

Keles, dikur sekretar i përgjithshëm i Grupit të Mbrojtjes dhe Hapësirës Ajrore në SAHA Istanbul, vend ky ku një pozitë kyçe e mban vëllai i dhëndrit të Erdoganit, Haluk Bayraktar. Ai mban pozitën e kryetarit të Bordit të Drejtorëve.
Ilhami Keles, drejtor i përgjithshëm i MKE dhe lidhjet me presidentin Erdogan
Keles ka përvojë të gjerë në sektorin e mbrojtjes. Ai ka qenë një figure kyçe në sektorin e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore të Turqisë ku ka kontribuar në iniciativat që përputhen me politikat e presidentit Erdogan, veçanërisht në lidhje me forcimin e afësive të brendshme të Turqisë në industrinë e mbrojtjes.
Ai ka pasur një rol të rëndësishëm në themelimin dhe zhvillimin e SAHA Istanbul, një grupim që ka për qëllim eliminimin e varësisë nga teknologjitë e huaja në sektorin e mbrojtjes, prioritet ky i Erdoganit.

Në SAHA Istanbul, Keles kishte pozitën e sekretarit të përgjithshëm, ku ka udhëhequr shumë projekte që janë pjesë e vizionit të Erdoganit.
Ai po ashtu ka kontribuar në zhvillimin e sistemit HERiKKS, projekt ky që i ka mundësuar Turqisë të bëhet një nga 12-të vendet anëtare të NATO-s që ka këtë system.
Ky lloj projekti është në linjë me qëllimet e Erdoganit për të rritur kapacitetet kombëtare të mbrojtjes dhe për të siguruar që Turqia të mos varet nga furnizuesit e jashtëm për teknologji të tilla.
Më 6 shkurt 2023, Keles u emërua drejtor i përgjithshëm në MKE.
Lidhja e MKE me Baykar
Kompania turke Baykar, e cila prodhon dronët e famshëm Bayraktar është në pronësi të vëllezërve Selçuk dhe Haluk Bayraktar. Ky i pari është bashkëshorti i Sumeyye, vajzës së Erdoganit.
Nga të dhënat në internet, del se “Makine ve Kimya Endüstrisi” është kompanie anëtare e SAHA Istanbul.
Haluk, njëri nga udhëheqësit e Baykar, mban pozitën e kryetarit të bordit të drejtorëve në SAHA. Siç e përmendem më lartë, në SAHA Istanbul, Keles kishte pozitën e sekretarit të përgjithshëm.

Verën e kaluar, Kosova bleu dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.
Kurti tha asokohe se me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve.
Alphaslan Kavaklioglu, kryetar i Bordit të Drejtorëve në MKE, njeriu i Erdoganit dhe zv.ministër i Mbrojtjes
Politikan e anëtar i partisë turke në pushtet, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, e udhëhequr nga Recep Tayyip Erdoğan.

Më 10 gusht të 2018 u emërua zëvendësministër i Mbrojtjes.
Aktualisht Kavaklioglu mban një pozitë të rëndësishme në MKE, atë të kryetarit të Bordit të Drejtorëve.
Udhëheqësia e MKE-së
Pas Ilhami Keles, Irfan Ozsert, mban pozitën e zv.drejtorit të përgjithëm. Ushtarak i njohur, ku me urdhër të Erdoganit në vitin 2024 është emëruar komandant i ushtrisë së Egjeut.

Zv.drejtorët tjerë janë: Yasin Ocal, Musa Yavuz Akkurt, Yuksel Aksoz, Recep Kaymaz, Alpay Erdogan, Erhan Tekin e Zafer Evis.
Rafet Dalkiran mban pozitën e zv.kryetarit të bordit të drejtorëve, aktualisht edhe shef i shtabit të forcave ajrore.
Anëtarët e tjerë të shtabit përfshijnë emra si: Tevfik Algan, Sinan Eren, Mehmet Avci, Mahmut Varol dhe Firat Kilic.
Njoftimi i kryeministrit Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 16.12.2024, ka njoftuar se ka nënshkruar Kontratë me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), me të cilin, sipas shefit të Qeverisë, po vendosen themelet e industrisë së mbrojtjes.
Kurti ka thënë se MKE merr përsipër ta vërë në funksion fabrikën e municioneve, e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve – sipas standardeve të NATO-s.
Ndërsa, tutje, ka thënë se me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore.
“MKE merr përsipër ta vë në funksion fabrikën e municioneve, e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve – sipas standardeve të NATO-s. Në këtë Kontratë, përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë e për kalibrim. Me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore”, ka njoftuar Kurti.
Deklarata e MKE-së
Prodhuesi turk shtetërore i industrisë së mbrojtjes “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE) ka dalë me një deklaratë pas nënshkrimit të marrëveshjes me Qeverinë e Kosovës për hapjen e fabrikës së municioneve në vend.
MKE thotë municionet do të prodhohen sipas standardeve të NATO-s.
“Nënshkruam marrëveshje për themelimin e një fabrike moderne në Kosovë që do të prodhojë municion sipas standardeve të NATO-s.
Me këtë kontratë të nënshkruar, ne jemi krenarë që kemi kontribuar në eksportet e industrisë së mbrojtjes së Turqisë duke forcuar industrinë e mbrojtjes së vendit tonë mik dhe vëlla, Kosovën”, thuhet në një postim në LinkedIn, të martën./Paparaci

