Të fundit

Dështon gjykimi ndaj ish-kryeministrit Haradinaj, ngarkohet se pengoi policët gjatë arrestimit të Kurtit

Mungesa e ish-deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Rexhep Selimi, Zafir Berisha, Visar Imeri dhe Time Kadrijaj, u bë shkak që të mos nisë gjykimi në rastin ku ata po akuzohen se nëntor të 2015-ës penguan zyrtarët policorë në arrestimin e Albin Kurtit.

Bashkë me ta në këtë rast po akuzohen edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ish-deputetët Daut Haradinaj, Shqipe Pantina dhe Lah Brahimaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për mungesën e Selimit në seancën e së enjtes, gjykatësi i rastit Ngadhnjim Arrni deklaroi se tanimë janë të ditura arsyet e mungesës së tij, duke shtuar se në seancat e ardhshme do të vendoset nëse do të veçohet procedura ndaj të njëjtit.

Ndërsa, sa i përket mungesës së Berishës, Imerit dhe Kadrijaj, gjykatësi Arrni njoftoi se për të njëjtit gjykata nuk ka prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt.

E që sipas gjykatësit Arrni për sigurimin e të akuzuarve në seancat e radhës, gjykata do të ndërmarr të gjitha veprime procedurale.

Pas konstatimit të prezencës së palëve, gjykatësi Arrni ka njoftuar palët e pranishme lidhur me veprimet procedurale që kjo gjykatë ka ndërmarre përkitazi me rastin.

Sipas tij, më 4 mars të këtij viti gjykata kishte kthyer në plotësim aktakuzën duke kërkuar nga prokuroria që ti largojë nga dispozitivi personat që nuk janë pjesë e aktakuzës dhe të deklarohet rreth cilësimit juridik të veprës penale në këtë aktakuzë.

Tutje, ai shtoi se më 17 mars ka pranuar përgjigjen nga prokurorja e rastit ku janë eliminuar emrat e personave të cilët nuk janë pjesë e aktit akuzues por që sipas tij në këtë njoftim prokuroria nuk është deklaruar lidhur me cilësimin juridik të veprës penale.

Sipas gjykatësit Arrni, me qëllim që procedura të zhvillohet pa pengesa gjykata përsëri e ka kthyer në plotësim aktakuzën sepse sipas tij përshkrimi faktik i dispozitivit të saj nuk ka përkuar me cilësimin juridik.

Lidhur me këtë, gjykatësi Arrni tha se më 23 shtator 2021 prokuroria përmes një parashtrese është përgjigjur se mbetet në cilësimin e njëjtë juridik të aktakuzës së ngritur fillimisht.

Po ashtu, edhe në këtë seancë prokuroja e rastit Ajshe Ferati deklaroi se mbetet pranë këtij cilësimi juridik.

“Për momentin ky është cilësimi juridik, pa paragjykuar se çka mund të ndodh deri në fund të procedurës lidhur me cilësimin juridik” tha prokurorja Ferati.

Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit Ramush Haradinaj, avokati Ramë Gashi ka kërkuar nga gjykata që ta obligojë prokurorinë ta pajisë mbrojtjen me shkresa të lëndës pasi që sipas tij, i mbrojturi i tij përveç ftesës për seance nuk ka asnjë shkresë tjetër.

“ I mbrojturi im nuk ka asnjë shkresë, përjashtim të thirrjes që e ka marrë për seancën e sotme kjo nënkupton se prokuroria ende nuk e ka përmbushur obligimin ligjor pas ngritjes së aktakuzës lidhur me shpalosjen e shkresave të lëndës, është një e drejte themelore e bazuar në ligj edhe ne nuk mund të themi asnjë fjalë, asnjë germë pa pas te gjitha shkresat e lëndës në posedim”, tha avokati Gashi.

Fjalën e avokatit Gashi, e ka mbështetur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Daut Haradinaj, avokati Kujtim Kerveshi dhe i njëjti ka kërkuar se në qoftë se prokuroria ka prova elektronike për to duhet të ofrohet autenticiteti i burimit të tyre.

“E mbështes fjalën e avokatit Ramë Gashi po ashtu ju njoftojmë se nuk janë përmbushur kushtet për këtë shqyrtim gjyqësorë vetëm që po ju drejtohem me kërkese që këto prova të na ofrohen në afat të mjaftueshëm kohor e në veçanti në qoftë se prokuroria ka prova elektronike duhet te na ofrohet autenticiteti i burimit të provës”, tha avokati Kerveshi.

Ndërsa, e akuzuara Shqipe Pantina tha se për këtë çështje ajo është njoftuar vetëm pasi që ka aplikuar për dokumentin që e njëjta nuk është nën hetime.

“Kur kam shkua me kërkua një dokument që nuk jam nën hetime pra janë 5 vite që unë si qytetare tash jo si deputete nuk munden me realizua asnjë të drejtë tjetër, përfshi të drejtën ne punësim ne institucione publike për shkak se gjyqësori në këtë rast i gjithë sistemi me mban në hetime 5 vite për një vepër të cilën unë nuk jam as e njoftuar”. tha e akuzuara Pantina.

Sipas aktakuzës fillestare të ngritur me 15 mars 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Rexhep Selimi, Lah Brahimaj, Zafir Berisha, Ramush Haradinaj, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Imeri po akuzohen se pas një mosmarrëveshje në bashkëkryerje së bashku me Donika Kadaj-Bujupi, Pal Lekaj, Haxhi Shala dhe Fisnik Ismajli kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Ndërsa, sipas aktakuzës së precizuar më 13 mars 2018, për veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 akuzohen vetëm Rexhep Selimi, Lah Brahimaj, Zafir Berisha, Ramush Haradinaj, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Imeri.

Aktakuza thotë se, derisa të dëmtuarit zyrtarët policor Ifus Xhemajli, Agron Haziri, Mehdi Kozhani, Rifat Gashi, Ali Berisha, Burim Gjoshi, Shaban Beqiri, Artan Osmani, Xhavit Selimi, Faik Mehmeti, Xhemjal Abdullahu, Rafet Ibishi, Irfan Haziri, Iliri Selimi, Nazmi Kastrati dhe Faik Kraniqi i’a kanë kumtuar lajmin Albin Kurtit “jemi Policia e Kosovës dhe se duhet të shoqërohesh me ne deri në stacionin policor, sipas urdhrit për urdhër arrest të 17 nëntorit 2015 të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda”

Tutje, në aktakuzë thuhet se përderisa këta policë po tentonin ta arrestonin Albin Kurtin, të akuzuarit e lartcekur e kanë futur Albnin në mesin e tyre dhe me këtë veprim ja kanë pamundësuar personave zyrtar shoqërimin e tij tek organet kompetente.

Me këtë, Rexhep Selimi, Lah Brahimaj, Zafir Berisha, Ramush Haradinaj, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Imeri po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shënim: Personat e përmendur në ketë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci