Ministria e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut ka konfirmuar se ka pranuar letrën e ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiut për transferimin e pesë të burgosurve, në mesin e tyre edhe kunatin e saj, Muhamet Krasniqi, i dënuar me burgim të përjetshëm për rastin “Kumanova”.
Ministria e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, e drejtuar nga Igor Filkov në një përgjigje për Paparacin nuk ka dhënë detaje të kërkesës së Haxhiut, por ka thënë se procedura e ekstradimit është komplekse.
Kjo ministri ani pse jo direkt, e ka konfirmuar se transferimi ende nuk është realizuar.
“Procedurat e ekstradimit janë komplekse dhe të mbikëqyrura nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe legjislacioni kombëtar. Ndarja e informacioneve është e rregulluar strikt me ligjet dhe rregullat dhe për këto arsye ne nuk do të ndajmë informacione që mund të rrezikojnë rrjedhën e procedurave”, thuhej në këtë përgjigje të shkurtër dërguar Paparacit.
Andi Krasniqi në vitin 2017 ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Shkupit me burgim të përjetshëm. 37 pjesëtarë të grupit ishin akuzuar për terrorizëm.
Burgim të përjetshëm vuajnë edhe Bek Bajra nga Gjilani dhe Demë Shehu nga Deçani.
Ndërkaq, Bajram Elshani është i dënuar me 40 vjet burgim bashkë me Betim Kabashin nga Prizreni.
Gjykata Themelore e Shkupit ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015.
Në përleshjet e armatosura që zgjatën dy ditë më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, janë vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.
Grupi kishte deklaruar se vendosja në Kumanovë ishte bërë për shkak të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni./Paparaci.com.
