Të fundit

Skandal në Fakultetin e Mjekësisë: Studentë me diploma profesionale u pranuan në master shkencor

Gjashtë studentë me diploma profesionale janë pranuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në kundërshtim me Ligjin. Ata janë studentë me diploma profesionale. Janë pranuar në programin master shkencor në Fizioterapi vitin e kaluar. Ligji e përcakton qartë që studentët me diploma profesionale nuk kanë të drejtë të ndjekin studime master shkencor (MSc).

Një proces i dyshimtë për shkelje të mëdha ligjore ka ndodhur vitin e kaluar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës (UP).

Gjashtë studentë me diplomë profesionale janë pranuar në programin master të Fizioterapisë në Fakultetin e Mjekësisë në konkursin për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve për vitin akademik 2024-2025.

26 studentë ishin pranuar në master shkencor të programit Fizioterapi.

Sipas informatave të cilat i ka verifikuar Paparaci, gjashtë prej të pranuarve ishin studentë të diplomuar në programe profesionale bachelor (BA) në një kolegj privat të arsimit të lartë.

Procesi përbën shkelje të rënda ligjore dhe është në kundërshtim me kriteret e përcaktuara nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA).

Bazuar në kriteret e përcaktuara nga AKA dhe Korniza Kombëtare e Kualifikimeve, studentët e diplomuar në programe profesionale nuk kanë të drejtë të ndjekin studime master të natyrës shkencore, për shkak të dallimeve substanciale në profilin akademik dhe objektivat e formimit.

Në Kosovë, Bachelor profesional nuk lejon kalim direkt në Master shkencor për shkak të ndarjes ligjore profesionale-akademike, bazuar në rregulloret dhe manualet e AKA-s.

Edhe në Evropë, ky kalim nuk është direkt, shpesh kërkon kurse shtesë ose programe përgatitore, duke reflektuar parime të ngjashme të kualifikimeve.

Ky veprim ka dëmtuar dhjetëra kandidatë tjerë, të cilët kishin përfunduar studime të rregullta shkencore BSc në Fizioterapi në UP dhe institucione të tjera publike e private.

Ata kishin aplikuar në mënyrë të rregullt në konkursin e hapur nga Fakulteti i Mjekësisë, por ishin rrëzuar.

Në total, 72 kandidatë kishin aplikuar për pranim në programin MSc në Fizioterapi, por gjashtë vendet u zunë nga studentë me diplomë profesionale, duke ngritur dyshime të forta për favorizim të paligjshëm dhe shkelje të rëndë të barazisë në konkurrim.

Dyshimet për paligjshmëri në këtë proces janë forcuar këtë vit.

Në konkursin e shpallur këtë vit për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të studimeve për vitin akademik 2025-2026, Komisioni Pranues nuk i ka pranuar dokumentet e studentëve me bachelor profesional të Universitetit të Gjakovës dhe Kolegjit Universi, ka mësuar Paparaci.

Kryetare e komisionit pranuar, sikurse vitin e kaluar dhe këtë vit, është Merita Qorolli, profesor asistente në Fakultetin e Mjekësisë.

Paparaci, ka kërkuar sqarime nga Qorolli pse vitin e kaluar janë pranuar gjashtë studentë me diplomë profesionale në programin master shkencor (MSc) në Fizioterapi në Fakultetin e Mjekësisë dhe pse këtë vit nuk janë pranuar studentë me kualifikimin e njëjtë.

Qorolli, në një përgjigje me shkrim për Paparacin të martën tha se Komisioni për Pranimin e kandidatëve në programin Master i Shkencës në Fizioterapi për vitin akademik 2025/26 ka vepruar bazuar në kriteret e konkursit të shpallur nga Universiteti i Prishtinës, më 30 qershor të këtij viti.

“Ju informojmë se Komisioni për pranimin e kandidatëve në programin Master i Shkencës në Fizioterapi, për vitin akademik 2025/2026, ka vepruar konform Konkursit (Nr. prot. 1/554), të shpallur më datë 30.06.2025 nga Universiteti i Prishtinës”

“Theksojmë se në të gjitha proceset, komisioni ka vepruar duke respektuar në tërësi dispozitat e konkursit në fuqi në kohën përkatëse”, tha Qorolli.

Agjencia e Kosovës për Akreditim nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Paparacit për këtë çështje. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci