Të fundit

Ekskluzive: Komandanti i Policisë dyshohet se ia dëmtoi veturën qytetarit dhe fshehu rastin

Një epror i Policisë së Kosovës ndodhet në hetime për fshehjen e një incidenti të shkaktuar me automjetin zyrtar. Paparaci, ka zbuluar rastin që implikon Faik Jahmuratajn, komandantin e Stacionit Policor në Deçan, në një skandal të policisë. 

Paparaci

Faik Jahmurataj ka shpëtuar pa u ndëshkuar për një aksident trafiku të cilin dyshohet se e shkaktoi me automjetin zyrtar të Policisë së Kosovës.

Komandanti i Stacionit Policor në Deçan, pretendohet se në muajin maj të 2020-s përfshiu veturën zyrtare në një aksident rrugor në qendër të qytetit të Deçanit.

Duke ngasur automjetin zyrtar me targa 05-184, Jahmurataj dyshohet se në sheshin “Mentor Tolaj” e goditi nga mbrapa veturën e B.Gj., një shtetasi kosovar me banim në Gjermani.

Komandanti policor, pretendohet se ishte fajtor i aksidentit që ia dëmtoi veturën 34-vjeçarit, raporton Paparaci. Megjithatë, Jahmurataj përdori autoritetin e tij si kryeoficer në qytet për t’iu shmangur përgjegjësisë për aksidentin.

Viktima, B.Gj., një shtetas i Kosovës me banim në Gjermani, ka rrëfyer të mërkurën incidentin.

“Ka ndodhë aksidenti”, tha B.Gj. për Paparacin. “Më ka goditë me kerr zyrtar; më ka rrokë në vija të bardha. Kam dal nga vetura dhe më ka pyet: A ka mundësi me hekë kerrin mos me pengu komunikacionin?”.

B.Gj. pretendon se Jahmurataj, në cilësinë e personit zyrtar, i ka dhënë urdhër për largimin e veturës nga rruga. Viktima thotë se komandanti ka refuzuar të hapte dosje, sipas autorizimeve zyrtare.

“Më tha që konsiderohet kerr i zyrtarëve policorë. Ndërkaq, unë e largova kerrin tim. Pastaj më tha shkojmë te mjeshtri me rregullu”, tha B.Gj..

“Jemi shku te ni mjeshtër në Deçan. Ai i ka lypë 150-200 euro, se di saktë sa i ka lypë. Komandantit iu ka dukë shtrenjtë. Kështu që më tha me shku n’Pejë; më tha që e ka një koleg të tij që do ta rregullonte veturën më lirë”.

B.Gj. thotë se ka refuzuar udhëzimet e tjera të Jahmuratajt.

“Thashë nuk mundem me ardhë në Pejë se kam me udhëtu për Gjermani sonte”, i tha B.Gj., Paparacit.

Veturën që pretendon se ia dëmtoi Komandanti i Policisë në Deçan, ai nuk e ka rregulluar ende. As kontakt me Jahmuratajn thotë se nuk ka pasur më kurrë prej ditës së incidentit.

“Qatë ditë [kam pasur kontakt me të, v.j], s’kam pasë unë më kontakt me të. Qatë ditë, dhe kurrë më!”, shprehet ai.

Në momentin e incidentit, Paparaci ka mësuar se Jahmurataj ndodhej në veturën zyrtare i shoqëruar nga Nezir Cacaj, një oficer policor në Deçan. Prezencën e tij në ditën e incidentit, e ka konfirmuar B.Gj. në versionin e tij për ngjarjen.

“Bile ni polic deçanas ka qenë me të. Atë e njihja se ishte i Deçanit. E këtë [Faik Jahmuratajn] faktikisht nuk e kam njohur kush është. Pastaj e kam marrë vesh se kush është ky”, thotë ai.

Faik Jahmurataj, nuk i ka komentuar informatat e mediumit dhe pretendimet e B.Gj. mbi incidentin. Ai, ka qenë i paçasshëm në numrin e tij të telefonit gjatë të martës dhe të mërkurës. Ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve që Paparaci ia ka adresuar të mërkurën.

Ndërkaq, B.Gj. pranon se nuk ndërmori asnjëherë veprime për raportimin e rastit tek organet e rendit. Lëndën nuk e ka denoncuar as në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

Megjithatë, IPK-ja ka nisur hetime për rastin pas interesimit të Paparacit.

Një zëdhënës i IPK-së i ka thënë mediumit të mërkurën se institucioni përgjegjës për hetimin e shkeljeve policore ka filluar të grumbullojë informacione për rastin.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës lidhur me këtë rast nuk ka pranuar ndonjë ankesë, sidoqoftë sipas detyrës zyrtare IPK ka filluar të grumbullojë informacione për këtë rast bazuar në autorizimet ligjore”, ka thënë Arbër Beka, zëdhënës i IPK-së, në një përgjigje me shkrim për mediumin.

Policia e Kosovës, po ashtu ka refuzuar të japë sqarime për rastin. Deri në momentin e publikimit të artikullit, mediumi nuk ka pranuar përgjigje në pyetjet që ia ka nisur policisë të martën. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci