Të fundit

I ngarkoi kundërligjshëm me barrë tatimore prindërit e biznesmenit, KPK riaktivizon dosjen kundër zyrtarit të ATK-së

Çështja e shumëpërfolur e biznesit “Lakeside” në Vërmicë dhe barrës tatimore prej mbi 823 mijë euro, të vendosur mbi pronat e familjes Pulaj ka marrë kthesë të re. Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur ta kthejë rastin për shqyrtim në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, duke e mbajtur të hapur betejën ligjore mes familjes Pulaj dhe Administratës Tatimore të Kosovës, konkretisht zyrtarit Sabit Dermala.

Zyrtari i ATK-së, Sabit Dermala dyshohet se ka vendosur barrë tatimore mbi pasuritë e prindërve të Feim Pulajt, megjithëse ata nuk kanë pasur asnjë detyrim tatimor në ATK, raporton Paparaci.

Ndërkohë që obligimi tatimor i është faturuar biznesit “Lakeside”, i menaxhuar nga Feim Pulaj, dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kjo barrë është shtrirë edhe mbi pronat e prindërve të tij, duke shkaktuar bllokimin e tyre dhe duke u cënuar të drejtat pronësore të familjes Pulaj.

Barra tatimore

Sipas kallëzimit penal dhe dëshmive të dorëzuara nga familja Pulaj, më 7 prill 2023 zyrtari i ATK-së, Sabit Dermala, kishte vendosur barrë tatimore mbi disa parcela dhe objekte në pronësi të Izeir dhe Fatime Pulajt, duke i lidhur ato me borxhin tatimor të “Lakeside AG Sh.p.k”. Vlera e barrës arrin mbi 823 mijë euro, edhe pse këto prona nuk janë pjesë e biznesit dhe nuk kanë lidhje direkte me obligimet e kompanisë.

Pronari i “Lakeside”, Feim Pulaj, ka deklaruar se kompania është kontrolluar disa herë nga ATK-ja dhe fillimisht kishte dalë me të drejtë për rimbursim prej 2.8 milionë eurosh, por një kontroll i tretë, i kryer nga një departament tjetër, anuloi vendimet paraprake dhe vendosi barrë të re tatimore.

Dëshmia e Feim Pulajt

Edhe Fatime Pulaj, pronare ligjore e disa prej tokave, ka deklaruar se nuk ka asnjë detyrim ndaj shtetit, megjithatë nuk mund të shesë e as të shfrytëzojë pronën për shkak të barrës së vendosur.

“Unë nuk kam asnjë borxh as privat dhe as shtetit por pronat e mija janë të bllokuara nga shteti unë jam e dëmtuar nga bllokimi i pronave sepse pronat nuk mundem ti shes as me bo kurrgjë pasi që janë të bllokuara”, deklaroi ajo.

Dëshmia e Fatime Pulajt

Vendimi i diskutueshëm për pushimin e hetimeve ndaj zyrtarit të ATK-së, Sabit Dermala

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, me aktvendim të datës 01.08.2025, ka vendosur për pushimin e hetimeve ndaj zyrtarit të ATK-së, Sabit Dermala, i cili ishte nën hetim për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ky konstatim i gjykatës ka nxitur reagime, pasi përfaqësuesi ligjor i kompanisë “Lakeside” dhe familjes Pulaj ka theksuar se vendimi lë të paqartë faktin kryesor: barrat tatimore janë vendosur jo vetëm mbi pronën e biznesit, por edhe mbi pronat private të prindërve të Feim Pulajt, të cilët nuk figurojnë me asnjë borxh tatimor ndaj ATK-së.

Sipas tyre, ky veprim i zyrtarit Dermala ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe ka shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe juridike për familjen Pulaj, ngase pronat e tyre janë bllokuar padrejtësisht.

Në vendim, prokuroria arsyeton se Dermala ka vepruar “në bazë të ligjit dhe përgjegjësive të pozitës së tij”, duke u thirrur në nenin 33 të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Memorandumin e bashkëpunimit mes ATK-së dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Aktvendimi për pushimin e hetimeve ndaj Sabit Dermales

Megjithatë, pala e dëmtuar ka ngritur dyshime serioze se këto dispozita janë interpretuar në mënyrë të gabuar, për t’i dhënë mbulesë ligjore një veprimi që në fakt ka cenuar të drejtat e pronësisë së qytetarëve të pafajshëm.

Përfaqësuesit e “Lakeside” kanë theksuar se pushimi i hetimeve nuk është në përputhje me provat materiale dhe vendimet e gjykatave të mëhershme, përfshirë edhe Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili ka trajtuar çështjet e borxhit tatimor të biznesit.

Kërkesa e familjes Pulaj drejtuar Këshillit Prokurorial të Kosovës

Avokati Valdrin Gashi ka dorëzuar një kërkesë zyrtare drejtuar Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke kërkuar rihapjen e hetimeve ndaj zyrtarit të ATK-së, Sabit Dermala, për dyshimin e kryerjes së veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autorizimit zyrtar”, sipas nenit 414 par.1 të KPRK-së.

Sipas kërkesës së avokatit, Dermala ka vendosur barrë tatimore ndaj tokave të Fatime dhe Izeir Pulaj, për shkak të një borxhi të biznesit të tyre, “Lakeside AG” Shpk, i cili nuk është vërtetuar gjyqësisht.

Kjo, sipas avokatit, përbën shkelje të qartë të ligjit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Veprimet e të dyshuarit kanë shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta dhe të padrejta për palën e dëmtuar, duke bllokuar pronat e tyre për një borxh të biznesit që nuk është i vërtetuar gjyqësisht”, thuhet në kërkesë.

Kërkesa thekson gjithashtu se, edhe pas ankesës së bërë nga pala e dëmtuar ndaj vendimit të Prokurorisë Themelore dhe Prokurorisë së Apelit për pushimin e hetimeve, nuk është marrë parasysh ngritja e aktakuzës ndaj Dermalës.

Avokati Gashi ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të siguruar që drejtësia të vihet në vend.

Në lidhje me këtë kërkesë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar avokatin Gashi se shkresa e tij është shqyrtuar dhe është përcjellë në Zyrën e Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për t’u trajtuar sipas kompetencave të saj./Paparaci

Njoftimi i KPK-së për riaktivizimin e dosjes kundër Dermales

Video nga Paradoks

VV SHOW-Pushteti nuk ka problem Vita-n, por pronarin -Historia e marrëdhënieve të Kurtit me Devollët

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci