Hasan Sagdan, kandidati për Asamblenë Komunale të Prizrenit, ka premtuar se ky qytet do të ketë një qeverisje moderne, transparente dhe të drejtë.
Sagdan, që mban numrin 8 në listën e AAK-së në këtë komunë, është takuar me kandidatin për kryetar të Prizrenit, Besnik Krasniqi.
Sagdan është zotuar se së bashku me kryetarin Krasniqi do të luftojnë korrupsionin dhe do të bëjnë të mundur një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në Prizren.
“Në këtë kohë vendimtare për të ardhmen e Prizrenit, zotimi ynë së bashku me kandidatin për kryetar Besnik Krasniqi është i qartë: qyteti ynë ka nevojë për një qeverisje moderne, transparente dhe të drejtë. Prizreni nuk mund të mbetet peng i korrupsionit dhe keqmenaxhimit. Ne besojmë fuqishëm në një administratë që punon për qytetarin, ku çdo vendim merret me përgjegjësi dhe ndershmëri. Përveç luftës kundër korrupsionit, vizioni ynë është zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm. Ne do të mbështesim bizneset vendore, do të krijojmë hapësira për investime të reja dhe do të hapim rrugë për gjenerata të reja që të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Prizren, pa pasur nevojë të largohen. Me Besnik Krasniqin si kryetar, qytetarët do të kenë një qeverisje që dëgjon, vepron dhe i shërben të gjithëve – një Prizren të drejtë, modern dhe me perspektivë zhvillimi”, thuhet në postimin e tij në Facebook.
